E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundje humori



E qeshura është mekanizëm i të shprehurit. Shkencëtarët thonë se në botë ekzistojnë mijëra gjuhë e qindra-mijëra dialekte, por çdo njeri qesh pakashumë njësoj. Si rrjedhim, e qeshura është pjesë e fjalorit universal, sepse çdo njeri është në gjendje të qeshë, edhe kur s’mund të flasë.
Astrit LULUSHI (SHBA)

Studimet kanë treguar se foshnjet fillojnë të qeshin në dy javët e para. Të verbërit, shurdh-memecët janë të aftë të qeshin. Ka shkencëtarë që argumentojnë se e qeshura është gjuha e parë e njerëzimit, ose zanorja më primitive, që del pavetëdije dhe kjo bën të mendosh se është gjenetike.
Disa studime e trajtojnë të qeshurën duke e perceptuar si dukuri shoqërore e deri sëmundje. E qeshura është ngjitëse, thonë disa, dhe për këtë sjellin si shembull ngjarjen e çuditëshme të vitit 1962 në Tanganikë, ku ajo që fillojë si e qeshur e një grupi fëmijësh shkolle, mori me shpejtësi përmasat e një epidemie, duke u përhapur nga një individ te tjetri, derisa autoritetet u detyruan t’i mbyllnin shkollat për 6 muaj.

Kjo epidemi është shembull dramatik i fuqisë infektuese të së qeshurës. Shembuj të tjerë janë komeditë, ku e qeshura në grup e regjistruar më parë, përdoret si efekt për të nxitur të qeshurën e shikuesve në sallë, ose të atyre qe e ndjekin shfaqen në televizion.

Nuk ka dyshim se e qeshura është pjesë e fuqishme dhe e pandashme e jetës, për të mos thënë se është bazë e bio-sjelljes të natyrës njerëzore. Rëndësia e së qeshurës është vënë në dukje në kohë të ndryshme nga shkencëtarë e dijetarë të ndryshëm, duke fillura nga Platoni, Aristoteli, Kanti, Darvini, Frojdi e të tjerë. Vetë shprehja “e qeshura është ilaçi më i mirë” sikur lë të kuptohet se e qeshura është pjesë a dukuri e një mjedisi jonormal, ku barnat janë të nevojshëm. Ndoshta janë ata që krijojnë apo kontrollojnë mjedise të tilla që përhapin edhe fjalët se e qeshura është sëmundje, dhe se kush qesh, duhet ndalur për të mos infektuar të tjerët.

* * *
Dhe tani një përrallë.
Na ishte një herë një botë. Në këtë botë na ishte një vend (edhe vend pune), ku e qeshura thuajse nuk ekzistonte. Çdo lloj humori ishte i panjohur. Asnjë shenjë, asnjë shprehje, asnjë shaka që t’i ngjante të paktën edhe humorit të trashë. Njerëzit ishin jashtëzakonisht seriozë, të vetëdijshëm, inteligjentë, por shaka nuk kuptonin. Të gjithë, me përjashtim të një grupi të vogël që kishte një farë ideje se ç’ishte humori. Herë-herë, pjestarë të këtij grupi mblidheshin e bënin ndonjë shaka dhe qeshnin. Sjellja e tyre ishte me të vërtetë alarmuese dhe shihej si një fenomen patologjik. Ata që kapeshin duke qeshur, dërgoheshin urgjentisht në spital.
Ajo që shqetësonte shumicën, ishte se kur këta individë qeshnin, harronin se ku ishin, humbisnin krejtësisht ndjenjën e realitetit, dhe ato që thonin të tjerët, u dukeshin paarsye sepse nuk i kuptonin.
Ekspertët, të shqetësuar, u mblodhën dhe zhvilluan një ilaç në laboratorin e tyre. Debate u ndezën lidhur me emrin, por shpejt u urdhëruan se, meqë e qeshura ishte komunikuese, ta quanin “llafazon”.
Trajtimi filloi menjëherë. Rezultatet e para treguan se ilaçi i ri ishte i efektshëm, sepse i kthente “pacientët” nga bota e fantazisë në atë reale, ku atyre nuk u qeshej më. Por ndodhi edhe diçka tjetër. Nga që kontrasti midis dy botëve ishte shumë i thellë, pacientët fillonin të bërtisnin.
Kjo bëri që kritikët të thonin se ilaçi ishte mashtrim, prandaj të hiqeshin nga etiketa fjalët se ilaçi kishte vlera shëruese. Sipas tyre, pacientet nuk qeshinin më, sepse dhimbja që ndjenin ishtë më e madhe, sesa kënaqësia që u sillte e qeshura

Megjithatë, vlera e “llafazonit” kurrë nuk u përcaktua, sepse numri atyre që qeshnin filloi të shtohej, duke marrë përmasa të pallogaritëshme. Ilaçi, sido që të ishte, duhej. Pas gjashtë muajsh pa qeshur, pacientët ndërprenë të bërtiturat. Kjo i bëri mjekët të mendonin se ilaçit i duhej dhënë më shumë kohë që të bënte efekt. Por, në fakt, pacientët dukeshin të qetë, nga që kishin rënë në gjendje të thellë depresioni. Nisur nga përvoja, mjekët vendosën që dhënia e ilaçit të vazhdonte edhe më gjatë. Dhe shpresat e tyre sikur u përmbushën, kur pas gjashtë muajsh të tjerë, vunë re se pacientët ishin shëruar plotësisht. Ata e shihnin pozitivisht realitetin, pranonin çdo gjë që u thonin dhe, madje, filluan të ofronin edhe ndihmë për të sjellë në spital persona që qeshnin. Mjekët u gëzuan shumë nga suksesi i tyre.
Por, me kalimin e kohës dhe pas shumë studimeve, shkencëtarët vunë re se asnjë ish-i qeshur nuk kishte sjellë në spital ndonjë pacient të ri. Gjithashtu,qarkullonin zëra se ata që kishin dalë nga spitali, megjithëse në publik dukeshin seriozë, fshehurazi mblidheshin e tregonin shaka dhe qeshnin si më parë, ndërsa kur takoheshin në vende të hapura, flisnin nën zë që të mos i kuptonte njeri. Nga kjo, shkencëtarët arritën në përfundimin se ilaçi i tyre e kishte vrarë të qeshurën, por pasoja anësore ishte më e rrezikëshme, sepse gënjeshtra në vend nuk ishte njohur më parë.
Pyetja që u shtrua, ishte: Çfarë i bëri pacientët të pasinqertë?
Disa, më të guximshmit, parashtruan idenë se, për t’i shpëtuar trajtimit të dhimbshëm, pacientët thonin se ishin shëruar. Të tjerë ekspertë këmbëngulnin se josinqeriteti ishte shkaktuar nga një ndryshim gjenetik. Në organizmin e pacientit kishin ndodhur ndryshime kimike, neuronet kishin krijuar lidhje të reja për t’iu përshatur funksionit të mosqeshjes dhe gënjeshtra kishte lindur si nevojë e njeriut për të mbijetuar. Menjëherë, personat që ishin “kuruar” nga e qeshura, u thirrën në spital për t’u trajtuar përsëri, madje u provuan edhe lloje të ndryshme operimesh në tru. Por pa sukses. Shkenca ishte e pafuqishme për t’i bërë të hiqnin dorë nga shakatë në mënyrë vërtet të sinqertë. Dhe për njerëz të tillë u ngritën qendra-estrada, ku si në tempuj, shkonin çdo të shtunë për seanca trajtimi humori.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›