E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja, Sejdiu e Thaçi: Nuk cënon sovranitetin e Kosovës



Blerina Olldashi
Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes EULEX-it dhe Serbisë kanë reaguar institucionet e Kosovës. Në një deklaratë të përbashkët të presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi thuhet se Republika e Kosovës nuk është palë në marrëveshjen teknike, por edhe se kjo marrëveshje nuk cënon pavarësinë. “Theksojmë po ashtu se marrëveshje të tilla nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim në pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”,- thuhet në deklaratë e nënshkruar nga Sejdiu dhe Thaçi.
Nëpërmjet deklaratës, krerët e shtetit ritheksuan qëndrimin e tyre se do të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe do të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar. “Ftesa e Republikës së Kosovës për vendosjen e Misionit europian për rend dhe ligj, EULEX në Kosovë, për të ndihmuar institucionet e Republikës së Kosovës në fushat e rendit dhe ligjit është akt sovran i udhëheqjes së Republikës së pavarur të Kosovës”,- thuhet në deklaratë. Pas reagimit të Sejdiut dhe Thaçit, EULEX-i ka theksuar se nuk do të ndërmerrte kurrë asnjë hap që do ta dëmtonte Kosovën. Në deklaratën për media të EULEX-it thuhet se aranzhimet me Beogradin janë “të natyrës teknike dhe kanë për qëllim luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës”. Kjo marrëveshje konsiderohet si një hap përpara për të përmirësuar sundimin e ligjit në tërë Kosovën. Misioni, thuhet në komunikatë, do të vazhdojë të kërkojë, bashkëpunim operativ për të gjitha çështjet, që lidhen me mandatin e tij. Marrëveshja EULEX-Serbi është përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara nëpërmjet një deklarate të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ian Kelli. Në këtë deklaratë thuhet se Kosova është një vend sovran dhe ky protokoll teknik nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Kosovës në luftën kundër krimit ndërkufitar. “Shtetet e Bashkuara,- vazhdon deklarata,- janë të kënaqura që janë pjesë e EULEX-it dhe vlerësojnë EULEX-in për kryerjen e misionit, në përputhje me autorizimin dhe vizionin e autoriteteve të Republikës së Kosovës”. Shtetet e Bashkuara shpresojnë se bashkëpunimi policor që do të konsolidohet nga kjo marrëveshje do të ndihmojë në luftën kundër krimit ndërkufitar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, një luftë për të cilën janë të angazhuara si Kosova ashtu edhe Shtetet e Bashkuara. EULEX-i e nënshkroi protokollin të premtën në mbrëmje, për bashkëpunim policor me Serbinë. Nënshkrimi i protokollit, i cili hyn në fuqi tetë ditë pas nënshkrimit, është bërë në Prishtinë nga shefi për polici i EULEX-it, Rainer Kuehn dhe i njëjti është nënshkruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Reagime negative nga opozita në Kosovë dhe Serbi

Opozita në Kosovë dhe ajo në Serbi kanë reaguar negativisht pas nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim policor mes EULEX-it dhe Serbisë. Me këtë rast janë kritikuar institucionet e Kosovës se nuk po e tregojnë të vërtetën para qytetarëve. Nga ana tjetër, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, vlerëson se kjo gjendje e krijuar me nënshkrimin e protokollit, është një dobësi e institucioneve dhe, sipas tij, kjo marrëveshje do të ketë edhe pasoja për vendin. Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje!”, Albin Kurti, i cili e ka kundërshtuar ashpër nënshkrimin e protokollit për policinë ndërmjet EULEX-it dhe shtetit serb, thotë se përmes këtij protokolli po zbatohet plani 6-pikësh i OKB-së për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. “Nga ky protokoll për bashkëpunim policor në mes të EULEX-it dhe Serbisë, Serbia përfiton në mënyrë të trefishtë”,- konsideron Kurti.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë Vojisllav Koshtunica ka deklaruar se me nënshkrimin e marrëveshjes me EULEX-in, përfaqësuesit e qeverisë e kanë poshtëruar vendin.
Ai ka theksuar se me këtë protokoll, Serbia bëhet i vetmi shtet në Europë, që me vullnet nënshkruan vendosjen e kufijve, që ndajnë territorin e saj.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›