Sëmundjet e veshkave, ulet mosha e pacientëve, shtohen rastet tek të rinjtë

Vitet e fundit është vënë re një rritje e rasteve të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e veshkave, ndërkohë që është ulur ndjeshëm edhe mosha e të prekurve, duke përfshirë gjithnjë e më shumë të rinj. Ky fenomen lidhet edhe me faktin se sëmundje të ndryshme po shfaqen gjithnjë e më herët në moshë.
Mjekja nefrologe Enkeleda Stefo u shpreh për RTSH se, “Duke qenë se është ulur edhe grupmosha e sëmundjeve të diabetit, hipertensionit, atëherë patjetër edhe mosha e pacientëve që vuajnë nga veshkat është ulur. Ne hasim në moshat e reja patologji që çojnë në sëmundje renale dhe avancimit të saj.“
Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë janë mënyra e të ushqyerit dhe jeta sedentare, të cilat po bëhen gjithnjë e më të pranishme në stilin e jetesës së të rinjve.
“Të gjitha këto lidhen me organizmin i cili në fund të fundit është një i tërë dhe në momentin që preket një organ, edhe organet e tjera vuajnë nga kjo simptomë. Nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë nga alkooli, duhani apo jeta sedentare me sëmundjen e veshkave, por në mënyrë indirekte patjetër që kjo është e rëndësishme.“
Mjekët rekomandojnë që qytetarët të kryejnë kontrolle të rregullta mjekësore, si një mënyrë për të parandaluar dhe diagnostikuar në kohë sëmundjet e veshkave.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/