Shkolla e mesme “Koço Brisku” në Lapardha, hapësirë frymëzuese edhe për aktivitete passhkollore

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Punimet për rikonstruksionin e shkollës së mesme të bashkuar “Koço Brisku” në Lapardha po vijojnë intensivisht.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky kantier, ku po punohet me ritme të larta për të garantuar kushte bashkëkohore për nxënësit dhe stafin mësimor.
Rama tha se “ky investim i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Berat do të krijojë kushtet e duhura për zhvillimin e procesit mësimor, duke e kthyer shkollën në një hapësirë frymëzuese, edhe për aktivitetet passhkollore”.
Ky investim bën pjesë në programin kombëtar të rehabilitimit të infrastrukturës arsimore, përmes të cilit Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me pushtetin vendor, planifikon këtë vit përfundimin e ndërtimit dhe rehabilitimit të 42 objekteve arsimore në të gjithë vendin, duke synuar standarde moderne dhe të sigurta për mësimdhënie dhe zhvillim të nxënësve.
/e.i/r.e/