E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet e zemrës, tumoret dhe diabeti më të përhapurat

Në 40 vitet e fundit shqiptarët kanë rritur jetëgjatësinë mesatare me 20 vjet. Por nga ana tjetër, disa nga sëmundjet më shumë të përhapura dhe me prirje për t'u rritur më tej janë kanceret e llojeve të ndryshme, sëmundjet e zemrës dhe diabeti. 

Ndërkohë, mjekët shprehen të shqetësuar jo vetëm për uljen e moshës së prekjes nga sëmundshmëria, por edhe kapjen në faza të avancuara të tyre. 

Përsa u takon shkaqeve, mendohet se si për sëmundjet e zemrës dhe diabetin janë të ngjashme, trashëgimia, mjedisi, kequshqyerja, duhani, jeta pasive, stresi, por tek diabeti është faktor edhe plakja e popullatës. 

Dr. Agim Karaj, shef i Kirurgjisë Onkologjike në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", thotë për "Zerin e Amerikës" se "nga një anë investimet në këtë fushë janë të pakta, por nga ana tjetër shumica e pacientëve vijnë në gjendje të rëndë dhe nuk punohet shumë për zbulimin e hershëm të patologjive kanceroze". 

Nga ana tjetër, studimet tregojnë se 1 në 3 persona mund t’a shmangë diabetin vetëm me 30 minuta vrapim apo ecje.
Doktor për diabetin Florion Toti, në QSUT, thotë se "në 20 vitet e fundit të sëmurët me diabet janë dyfishuar nga 30 mijë në 60 mijë, ndërsa vazhdojnë fushatat për zbulimin e tyre, të cilët mendohet se janë 5 për qind e popullatës, ose gjithsej 150 mijë persona". 

Për Aurel Demirajn, "në sëmundjet e zemrës ka aktualisht një ndryshim të madh. Deri dje më të shumta ishin valvulat e zemrës, ndërsa tani ka më shumë sëmundje të enëve të gjakut, si rezultat i mbipeshës, pirjes së duhanit, yndyrnave të tepërta në ushqime dhe braktisjes së sporteve". 

Raporti "Pesha Botërore e Sëmundjes", nga Banka Botërore, në bashkëpunim me Rrjetin e saj për Zhvillim Njerëzor dhe Universiteti i Uashingtonit me Institutin e tij për Matje dhe Vlerësime Mjekësore, tregoi se vdekshmëria foshnjore është ulur, njerëzit po jetojnë më gjatë, popullata po plaket, por disa sëmundje po shtohen më shumë se të tjerat, megjithë masat që merren. 

Raporti tregoi se për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore ndër gjetjet kryesore janë shtimi i goditjeve iskiemike të zemrës, cerozat në mëlçi dhe diabeti. 

(m.s/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›