E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sëmundjet kronike pulmonare në rritje, ISHP: Mbi 70% e popullatës në stade të avancuara

Mbi 400 kartela mjekësore të mbledhura në dispanseritë e 6 rretheve të vendit nga Institutin e shëndetit Publik  për të analizuar nivelin e sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike, një nga problemet më të mëdha të shëndetit publik,  tregoi se mbi 70% e pacientëve të prekur ishin në stadin 3-të dhe të 4-ët të sëmundjes. Sipas ekspertes së shëndetit publik dhe atij mjedisor në Institutin e shëndetit Publik Elida Mata, vrojtimi kishte në fokus faktorët e riskut si duhan pirja , obeziteti dhe vendbanimi.

“Na rezulton që në stadin e 4 janë 37.2% e individëve të kartelizuar dhe diagnostikuar me  sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike dhe në total rreth 77% “, u shpreh ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik Elida Mata.

Sipas ekspertes duhan pirja rezultoi me një lidhje të fortë me zhvillimin e këtyre sëmundjeve

“Meshkujt duhanpirës dhe mbi moshën 50 vjeç kanë probabilitetin më të madh për të zhvilluar këto sëmundje”, tha ekspertja.

Vrojtimi gjeti një lidhje të  rëndësishme midis vendbanimit dhe stadeve të sëmundjes kjo referuar qyteteve me ndotje të ajrit si zona industriale – Elbasan, Fier dhe Tirana me nivele të ndotjes nga pluhurat. Faktori I ndotjes së ajrit do të jetë në fokus të një tjetër studimi që sapo ka nisur nga specialistët e ISHP-së.

Mjekët e ISHP theksojnë në raport se promovimi i parandalimit të faktorëve kryesorë të rrezikut që lidhen me zhvillimin e SPOK duhet të jetë një prioritet kombëtar, për të ulur prevalencën e kësaj sëmundjeje të heshtur.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›