Berisha me fasonët në Krujë: Do ngremë bord që do t’u kompensojë eksportuesve rënien e euros

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi në një takim me sipërmarrës të industrisë fason në Krujë projektin e tij politik “Shqipëria Madhështore”, që synon, sipas tij, nxjerrjen e shqiptarëve nga varfëria dhe ndërtimin e një ekonomie të fortë kombëtare.
Në fokus të veçantë ishte dhe mbështetja për bizneset, sidomos përballë krizës së krijuar nga rënia e euros. Berisha premtoi krijimin e një bordi kompensimi brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, i cili do të dëmshpërblejë bizneset për humbjet e shkaktuara nga rënia e kursit të këmbimit, “qindarkë për qindarkë”.
“Unë jam këtu për të paraqitur para jush projektin tonë të ‘Shqipërisë Madhështore’ që synon nxjerrjen e shqiptarëve nga mjerimi. Ne do të vendosim një minimum jetik prej 200 eurosh, për çdo pensionist, për çdo të papunë, për çdo njeri në ndihmë ekonomike, për çdo student, për çdo jetim, për çdo fëmijë të një gruaje apo burri familjar. Së pari me këtë synojmë të lehtësojmë dhimbjen.
Këta kanë nxjerrë një moto se në Shqipëri nuk vdes kush për bukë. Nuk ka gjë më ekzistenciale, më të turpshme. Çfarë do thuash ti me ketë, nuk vdes kush, si mund të diskutohet. Nuk kanë vdekur. Vetëm në periudhe zie buke, por nuk thotë një shtetar që nuk vdes kush për kafshatën. Por problemi është a e numërojnë kafshatën, problemi është sa e sigurojnë kafshatën. Problemi është jo vetëm për vete, për fëmijët e tyre, sa mund të mbajë sofra e tyre me ato që japin.
Ne do ecim drejt dyfishimit të rrogave. Ne vendosim rrogën minimale 500 euro. Por ju garantoj se sipërmarrësit tuaj do kenë nga ana tjetër, të gjitha lehtësirat fiskale në mënyrë që biznesi i tyre të ketë sukses të vazhdueshëm. Çfarë do bëjmë ne së pari. Të jemi realist. Këta e mbajnë biznesin me shumë, shumë vështirësi. Sepse rënia e euros nga rreth 140 lekë në 90 lek, është një rënie që këta i dëmton në mënyrë shumë thelbësore. Atëherë, hapi i parë, 100 ditët e para do krijohet një bord i cili do i kompensojë këta zotërinj të nderuar qindarkë për qindarkë, rënien e euros. Pa asnjë diskutim do bëhet”, tha Berisha.
Berisha kritikoi qeverinë për mungesën e investimeve të huaja dhe deklaroi se një qeveri e PD-së do të ofrojë stimuj konkretë për investitorët.
“Së dyti energjinë do e paguajnë me 6 lek. Tani çfarë ndodh me panelin diellor. E vjedhin në mënyrë të turpshme. Panelin diellor i ka kushtuar 400 mijë euro dhe ky prodhon energji. Dhe kur nuk punon ndërmarrja energjinë e fut në rrjet dhe ja marrin pa lek, në vend që të ja paguajnë. Shtet zuzar. E bëjnë vetëm këta, në asnjë vend të botës, se ky është investim. Ai investim do një kohë për t’u shlyer. Por këta asnjëri nuk ja kthejnë energjinë që i marrin, rimbursim. Kilovat për kilovat do të paguhet ose do u rikthehet me energji.
Prodhimi është rroga, është mirëqenie, është ekonomi e fortë, prodhimi është e ardhme. Dhe jo vetëm do bëjmë gjithçka për suksesin në vazhdim të sipërmarrjeve, por do bëjmë gjithçka për tërheqjen e investimeve të huaja. A e dini ju, nuk ka investitor të huaj më. Nuk vijnë, nuk ka. Taksat e bashkive, se këta janë të çmendur mbas taksave, nuk do të mund të jenë kurrë më shumë se 1% e xhiros vjetore”, shtoi ai.
/rtsh.al/