E Diel, 1 Nëntor 2026

Senati amerikan nuk arriti një marrëveshje për të nxjerrë nga kriza industrinë amerikane të automjeteve

Shumica demokrate dhe pakica republikane në senatin amerikan nuk arritën një marrëveshje mbi një paketë financiare për të nxjerrë nga kriza industrinë amerikane të automjeteve.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Heri Riid njoftoi mbrëmë vonë se ligjvënësit nuk mundën të bien dakord mbi pjesën përfundimtare të marrëveshjes dhe shtoi se mes dy palëve kishte shumë ndryshime. Zoti Rid e quajti dështimin e marrëveshjes një humbje të madhe për vendin.

Ndërkaq ligjvënësit republikanë thanë se bisedimet dështuan pasi sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e kësaj industrie nuk ranë dakord mbi një afat për uljen e rrogave të punonjësve të industrisë.

Pak pas njoftimit të senatorit demokrat Riid, Senati zhvilloi një votim procedural, 52 vota pro dhe 35 kundër, duke i dhënë kështu disfatë paketës. Për miratimin e një ligji në Senat nevojiten 60 vota.

Administrata e presidentit Bush, me anë të një deklarate, e cilësoi dështimin e bisedimeve si zhgënjyes. Shtëpia e Bardhë tha se projekt-ligji ishte mundësia më e mirë për të shmangur një falimentim me pasoja.

Demokratët i kanë bërë thirrje administratës që të përdorë pjesë të paketës emergjente prej 700 miliardë dollarësh për shpëtimin e sistemit financiar të vendit, për të ndihmuar edhe kompanitë e automjeteve. Shtëpia e Bardhë tha se administrata do të shqyrtojë të gjitha alternativat e saj.

Edhe Xheneral Motërs, me anë të një deklarate, shprehu zhgënjimin e saj të thellë për mosmiratimin e projekt-ligjit në Senat. Kjo kompani tha se do të vlerësojë e shqyrtojë të gjitha alternativat për të qëndruar në biznes.

Paketa në fjalë do t'i jepte një shumë prej 14 miliardë dollarësh në formë huaje tre kompanive më të mëdha të automjeteve në Shtetet e Bashkuara, Xheneral Motërs, Krajslër dhe Ford.    (ze)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›