Sendërtimi i ideve
Sendërtimi, identiteti, kreativiteti, paragjykimet e shumë çështje të tjera u diskutuan në edicionin e dytë të konferencës se ideve TEDxPrishtina. Midis atyre që diskutuan në këtë konferencë, e cila u mbajt në hapësirat e Shkollës Amerikane të Kosovës, qe edhe artisti i njohur kosovar Sislej Xhafa, i njohur për kërkimet e tij mbi realitetin shoqëror, ekonomik dhe politik si dhe bashkëveprimin e tyre me shumëllojshmërinë e paqëndrueshme të shoqërisë moderne.
Duke folur për identitetin, Xhafa tha se identiteti gjithmonë është në ndryshim. Ndërkaq, për kreativitetin tha se ai mund të ndihmojë në fushën politike, ekonomi dhe në jetën shoqërore.
“Duhet të mësojmë se si mund ta përdorim kreativitetin për të ndërtuar gjëra që mund të bëhen aq të shumëllojshme”, tha Xhafa.
Si fëmijë ai tha se e ka kuptuar se rezistenca është shumë e rëndësishme sepse, sipas tij, rezistenca është diçka që ju i rezistoni kulturës tradicionale dhe se si kjo kulturë tradicionale bëhet diçka organike, diçka që lëviz. Ndërkaq, për lirinë tha se ajo diktohet nga konsumi i shoqërisë moderne, kështu që, sipas tij, jetojmë në ideologjinë e konsumizmit. Ndërsa, mentaliteti, sipas artistit Xhafa, është trashëgimi shumë e rëndësishme me të cilën duhet të krenohemi.
“Por duhet të dimë se si talenti individual mund ta përdorë cilësinë e mentalitetit për të bërë diçka që mund të jetë refleksion i kësaj kohe”, tha ai.
Duke folur për papunësinë në Kosovë dhe cilësitë e të rinjve kosovar, Xhafa theksoi se në Kosovë ka papunësi tmerrësisht të madhe, ka gjithashtu të rinj me cilësi mahnitëse por, fatkeqësisht, jetojmë në një vend të tillë ku bëhemi viktima.
Në vazhdim ai foli edhe për revolucionin dhe për paragjykimet. Sipas Xhafës, është e pamundur të mendojmë ta ndryshojmë këtë shoqëri përmes të ashtuquajturit revolucion pa e revolucionarizuar veten tonë.
“Duhet të mendojmë për veten tonë se çfarë mund të bëjmë në një kohë të caktuar dhe në një vend të caktuar. Ne jetojmë në një kulturë me paragjykime. Mendojmë për të tjerët si duken, si ecin, sa të bukur janë. Mendojmë për të tjerët por nuk mendojmë si ta pyesim veten tonë, zakonisht kur kemi të bëjmë me çështje shumë të rëndësishme”, tha Xhafa.
Në mesin e folësve të tjerë që morën pjesë në këtë konferencë qenë edhe Ahmed Naguib, pjesëmarrës në Këshillin e Mirëbesimit të Revolucionit të Egjiptit, i cili tregoi historinë e Pranverës Arabe dhe sfidat që ajo solli; ndërkaq artisja bashkëkohore nga Kosova, Nurhan Qehaja ndau me audiencën përpjekën e saj për të përdorur artin dhe performancën në eksplorimin e çështjeve të identitetit të unit, marrëdhënies së tij me trupin dhe me tokën.
Në skenën e TEDxPrishtina me performanca artistike u paraqitën edhe kitaristi me famë botërore Petrit Çeku, artistja dhe flautistja Erëmira Çitaku me videoperformacën me instrumente muzikore të veprës së saj ‘Shoshë’, si dhe këngëtarja Agona Shporta, një nga zërat më premtues të skenës shqiptare të muzikës xhaz, me mbështetjen e kitaristit Taulant Mehmeti dhe të mirënjohurit Ilir Bajri.
TED është një organizatë jofitimprurëse, që i përkushtohet ideve që ia vlejnë të përhapen.