E Shtunë, 31 Tetor 2026

30 vjet në skenë

Kuinteti përreth këngëtarit Campino ka shitur që atëherë miliona CD dhe ka fituar çmime të shumta muzikore. "Die Toten Hosen" po feston me një turne jubilar.

Grupi gjerman i muzikës punk-rock "Die Toten Hosen" ka një prirje të veçantë për të dhënë koncerte në vende të pazakonta. Atyre u pëlqen të këndojnë në dhomën e ndenjes së fansave të tyre, ose të na surprizojnë me koncerte që japin nëpër burgje. Campino & Co nuk kanë hequr dorë nga ky lloj argëtimi as tani që ka kohë që janë profesionistë.

Ata nuk sillen si starë. Në qytetin e tyre në Dusseldorf, ata mund t'i takosh nëpër ndeshje futbolli, koncerte, apo në ndonjë bar të zakonshëm. Ja si e shpjegon kritiku i muzikës Philip Holstein fenomenin "Die Toten Hosen": "Muzika e tyre vazhdon të jetë punkrock. Ata i kanë mbetur besnik asaj. Dhe sa më gjatë jetoj në Dusseldorf, aq më shumë e kuptoj se sa i rëndësishëm është ky grup për qytetin, po se po, por edhe për të gjithë Gjermaninë."

Grupi "Die Toten Hosen" është i njohur për mesazhet e qarta. Ata angazhohen kundër energjisë bërthamore apo kundër nazistëve, apo pozojnë lakuriq për një fushatë kundër vrasjes së kafshëve për t'u marrë gëzofët.

Meloditë e thjeshta dhe tekstet e lehta për t'u kuptuar pëlqehen shumë. Me tituj të tillë si "Më bli!" apo "Opium për popullin" grupi ka qenë rregullisht në vendet e para të top listave të hiteve në radio. Ky grup i tërheq më magjinë e vet të gjithë brezat.

Shumë shpesh prindërit i marrin me vete fëmijët nëpër koncerte. Unikal është edhe fenomeni i Argjentinës, ku ky grup është prej 20 vjetësh pothuaj po aq popullor sa në Gjermani.

Në qershor këngëtari i këtij grupi, Campino, feston 50-vjetorin dhe megjithë karizmën e tij ai thotë: "Duhet të pranoj se rreth 90 përqind e të gjitha përvojave të jetës sime që do t'i quaja ‘cool’ apo ‘super’ janë të lidhura me grupin "Die Toten Hosen".

Se sa do të vazhdojë karriera e këtij grupi nuk dihet. Por një gjë dihet tashme, në një nga varrezat e Dusseldorfit pesëshja ka rezervuar një varr të përbashkët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›