Serbët e Kosovës duan të jenë pjesëmarrës në bisedime
Përfaqësuesit e serbëve pjesëmarrës në institucionet e Kosovës duan të përfshihen në bisedimet Prishtinë-Beograd. Këtë hap ata e konsiderojnë pjesë të përgjegjësisë që ata kanë në Kosovë.
Ministri serb për Punë dhe Mirëqenie Sociale në largim, Nenad Rashic thotë se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës duhet të marrin pjesë në bisedimet Prishtinë-Beograd, edhe pse ai është i vetëdijshëm që këtë nuk mund ta imponojë.
“Meqenëse negociatat teknike Kosovë-Serbi do të nisin rishtazi, unë jam i mendimit se secili prej nesh duhet të marrë një përgjegjësi dhe bazuar në këtë përgjegjësi ne mund të marrin pjesë në to, natyrisht nëse jemi të ftuar”, ka thënë Rashic për Deutche Welle.
Ai kujton bisedimet e zhvilluara me pare, Kosovë-Serbi, ku përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk kanë qenë shumë të informuar se çfarë po ndodh në këto bisedime. Ai ka shpresë se fillimi i bisedimeve Kosovë-Serbi do të shkojë në rrugën e duhur dhe që do të sjellë përfundimisht pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës në largim Hajredin Kuçi, këmbëngul se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do ta kenë rolin e tyre ne bisedat Kosovë-Serbi, madje ata do të jenë edhe pjesë e delegacionit.
“Ata do ta luajnë rolin e tyre sipas temave që do të diskutohen dhe në këtë drejtim do të jenë pjesë e barabartë e delegacionit të Kosovës. Nuk do të jenë në kuptimin e përqindjes si komunitete por në kuptimin e temave që do të diskutohen. Si shembull, nëse bisedohet për kthimin aty do të jetë ministri i Kthimit, apo personat përgjegjës”, ka thënë Kuçi.
Mirëpo, fillimi i bisedimeve Kosovë-Serbi mund të shtyhet edhe për një kohë deri në konsolidimin e institucioneve të reja të Kosovës, thonë analistët e pavarur. Në këtë linjë një ndër faktorët e tjerë që mund të zgjas fillimin e bisedimeve është edhe raporti i fundit i hetuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, të cilat pritet të mbahen nga fundi i vitit të ardhshëm.