E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët e veriut nuk do të pranojnë asnjë plan të Kosovës për veriun

Sekretari shtetëror në të ashtuquajturën Ministrinë për Kosovën të qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanovic, ka theksuar nevojën e një marrëveshjeje konkrete për statusin e Kosovës dhe veriun, njofton portali Koha.net

“Prishtina është e vetëdijshme se nuk mund të ketë ndikim dhe sovranitet në veri dhe, nën presionin e komunitetit ndërkombëtar, lëshon plan të ri. Por, ajo duhet të jetë e vetëdijshme se çfarëdo plani që ofron, qoftë ai edhe më i miri, qoftë ideal, serbët dhe Serbia nuk do ta pranojnë”, ka thënë Ivanovic për mediat serbe.

Ai i ka bërë këto komente pas disa shkrimeve në media se qeveria e Kosovës do të dalë me plan të ri për veriun në muajin shtator. Me këtë plan, siç thuhet, Kosova do që të integrojë pjesën veriore në sistemin e saj shtetëror, ndërsa një gjë të tillë do ta realizojë përmes dialogut me përfaqësuesit e serbëve të veriut.

Sipas këtij plani, në fazën e fundit të dialogut duhet të përfshihet edhe Beogradi, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i marrëveshjes.

“Jam absolutisht i sigurt se për një gjë të tillë nuk do të gjejnë përfaqësues të serbëve”, ka thënë Ivanovic.

Sipas Ivanovic, ai plan do të jetë i papranueshëm derisa nuk vjen deri te marrëveshja konkrete, e cila do të paraqiste kornizë politike për “statusin e Kosovës dhe statusin e veriut”. 

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›