E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektet për Bulevardin, Berisha: Rama betonizoi Tiranën

Sot pritet të shpallet projekti fitues për zgjatimin e Bulevardit të Tiranës dhe rehabilitimin e lumit të Lanës. Ditën e djeshme kryeministri Sali Berisha, ndërsa mori pjesë në vijimin e prezantimeve të projekteve konkurruese (seancë që u shoqërua dhe me pyetje nga qytetarët dhe anëtarët e grupit strategjik të Planit Urbanistik të Tiranës), garantoi edhe mbështetjen e tij për të gjitha projektet e Bashkisë së Tiranës. Sipas Berishës, kjo mbështetje i është dhënë edhe ish/kryebashkiakut Edi Rama, por ai ndryshe nga Basha e betonizoi Tiranën.
Berisha
Qeveria është e vendosur të mbështesë plotësisht, qeveria ka qenë e gatshme të mbështesë edhe pararendësin tuaj, por ai kishte interesa të tjera dhe jo ato të qytetarëve të Tiranës. Faza e betonit, qyteti do të thosha një barbari njerëzore. Unë nuk kam asgjë me betonin, po kur betoni përdoret për të asfiksuar qytetarin, për të rrënuar mjedisin, për të ngushtuar hapësirat, për të çqytetëruar qytetin atëherë jam kundër. Qyteti është i qytetarëve, tha kryeministri Sali Berisha.
Basha
Kryebashkiaku Lulzim Basha theksoi se në epiqendër të projekteve për Tiranën moderne është qytetari. Projekti shtrihet në qytetin e Tiranës, një pjesë në komunën e Paskuqanit, po projekti nuk mund të përkufizohet si një projekt thjesht për qytetin e Tiranës. Impakti që projekti ka është një impakt kombëtar, dhe kjo është arsyeja pse që nga gjeneza e projektit kemi marr inkurajimin e mbështetjen e qeverisë shqiptare, në veçanti të kryeministrit të Shqipërisë, tha Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë Tiranë.
Studiot
Grimshaë dhe DAR janë dy kompanitë që garojnë për masterplanin e zgjatimit të bulevardit të Tiranës. Projekti i Grimshaë Architects parashikon që gjerësia e bulevardit të jetë 60 metra. Përgjatë tij do të jetë sheshi ku do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, sheshi komercial me qendra tregtare dhe sheshi i kulturës. Ndërsa makinat do të qarkullojnë në mes të bulevardit. Ndryshe nga projekti i parë, DAR Group parashikon që makinat të kalojnë pas vijës së parë të ndërtimeve, ndërsa bulevardi të jetë vetëm për këmbësorët. Nga projekti fillestar, DAR ka ndryshuar gjerësinë deri në 100 metra dhe ka reduktuar koston e ndërtimit në rreth 25 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›