Serbët në veri duan fletëvotime pa logo të shtetit

Fletëvotimet me logo të Republikës së Kosovës janë bërë tani shkas që anëtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri të Kosovës të refuzojnë të nënshkruajnë kontratat me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ata po duan garanci se fletëvotimet që do të përdorën në veri të Kosovës me 3 nëntor të mos kenë asnjë shenjë të shtetit të Kosovës. Anëtarët
Diçka që nuk ka qenë e përfshirë në bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel ka dal si problem i ri sa i përket organizmit të zgjedhjeve në veri. Tani rreth 15 anëtarë komunal zgjedhor serbë po duan garanci që as fletëvotimet që do të përdoren me 3 nëntor në zgjedhjet lokale të mos identifikohen me Republikën e Kosovës.
Për këtë arsye mësohet se tash e një javë ata po refuzojnë të nënshkruajnë kontratë me organin qendror të zgjedhjeve. Betim Gjoshi, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë problem me Komisionet Komunale Zgjedhore në veri.
Ndërsa, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se anëtarët e KKZ-ve që po refuzojnë të nënshkruajnë kontratat duhet të zëvendësohen. Ai ka kërcënuar se nëse fletëvotimet në veri do të shtypen pa simbole të Republikës së Kosovës rasti do të dërgohet në Kushtetuese.
“Dje e kemi marrë një vendim ku i kemi aprovuar specifikat dhe dizajnin e fletëvotimit. Në ato specifika dhe dizajn figuron logoja e Republikës së Kosovës, çfarë edhe duhet të jetë. Çfarëdo vendimi tjetër që dikush mendon me marrë do të jetë shkelje e rëndë ligjore dhe kushtetuese. Prandaj, nëse ndodhë kjo unë do ta dërgoj drejt në Gjykatë Kushtuese “, i ka thënë Krasniqi, Radio Kosovës.
Deri më tani mësohet se autoritet kosovare kanë refuzuar t’i përgjigjen pozitivisht kësaj kërkesë së serbëve më arsyen se porosia për fletëvotimet bëhet gjithnjë me të njëjtin format.
Megjithatë ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet me anëtarët e KKZ-ve që po refuzojnë të nënshkruhen kontratat me organin e zgjedhjeve dhe nëse porosia për shtypjen e fletëvotimeve do të jepet me dy lloje fletëvotimesh, siç po kërkojnë aktualisht këta zyrtarë serbët të veriut.
Rreth kësaj deri më tani nuk ka dhënë ndonjë sqarim as misioni i OSBE-së i cili do të ketë rol lehtësues në organizmin zgjedhjeve lokale në veri. /Indeksonline/