E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët vazhdojnë protestat kundër ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve

Policia përdori edhe sot gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup prej rreth 100 qytetarësh serbë të cilët protestuan kundër rindërtimit të disa shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës. Pjesëtarë të komunitetit serbë kundërshtojnë kthimin e fqinjëve të tyre shqiptar në pjesën veriore të Mitrovicës, duke e kushtëzuar atë me siç thuhet "kthimin e serbëve në pjesën jugore të qytetit”. Tash e dhjetë ditë me radhë grupe protestuesish kanë provuar të pengojnë rindërtimin e pesë shtëpive të pronarëve shqiptarë të cilat ishin shkatërruar gjatë luftës në Kosovë.

Autoritetet në Prishtinë u bënë sot thirrje të gjithë qytetarëve të zhvendosur që të kthehen në shtëpitë e tyre. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se e drejta për kthim u takon të gjithë qytetarëve të zhvendosur pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Në një konferencë për gazetarë, ai i bëri thirrje edhe Qeverisë së Serbisë, që siç u shpreh ai, të mos manipulojë me procesin e kthimit të qytetarëve serbë në shtëpitë e tyre në Kosovë. "Ftoj, në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës qeverinë e Serbisë, autoritetet në Beograd që të jenë ndihmuese në kthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre këtu dhe të mos jenë pengues për qëllime politike të manipulojnë këtë proces”, thotë kryeministri Thaçi duke shtuar se janë krijuar kushtet e sigurisë dhe mundësitë më të mëdha të jetesës që të gjithë të zhvendosurit të kthehen në shtëpitë e tyre.

Ndërkaq, Ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rasiç, u bëri thirrje posaçërisht përfaqësuesve të komunitetit serb që të bëhen pjesë e jetës në Kosovë. "Do të shfrytëzoja këtë rast që të ftojë të gjithë të zhvendosurit e posaçërisht pjesëtaret e komunitetit tim, pra të komunitetit serb, që të kthehen në Kosovë dhe jo vetëm që të kthehen por pas kthimit të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë”, thotë ministri Rashiç.

Kthimi i të zhvendosurve është një nga përparësitë e punës së institucioneve të vendit, por edhe më tej shkalla e kthimit nuk vlerësohet e kënaqshme. Autoritetet në Kosovë thonë se janë të përkushtuara për integrimin sa më të madh të pakicave kombëtare, veçanërisht pakicës serbe. Por, ata thonë se qëndrimi kundërshtues i Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës po ushtron ndikim të madh në procesin e kthimit dhe integrimit të pjesëtarëve të komunitetit serb. //rd//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›