E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emrat e Edvinit shkaktojnë revolta në degët socialiste të Elbasanit e të Lezhës

Rama ka shkelur kodin e vdekjes, duke kryer një konsultim politik me krerët vendorë të Lezhës e të Elbasanit, edhe pse socialistët e vjetër kanë kundërshtuar të punojnë për të sjellë në parlament Olta Xhaçkën e Erion Velisë, apo ylberistët 99-sha, Saimir Tahiri e Lindita Nikolli. Krerët vendorë kanë refuzuar kandidaturat e Ramës, duke paralajmëruar një përçarje finale në radhët e së majtës, ende pa nisur fushata zgjedhore e 28 qershorit

TIRANE – Sherri që Edi Rama po thellon gjithnjë e më shumë me strukturat e PS-së, ka zbritur dje edhe në degët e kësaj partie në Elbasan e Lezhë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili po përballet me kundërshti brenda strukturave të partisë, për “privatizimin” që ai i ka bërë listës së kandidatëve për deputetë, ka tentuar dje të fillojë formalisht konsultimet për sa i përket hartimit të listës zgjedhore të selisë ylberiste për betejën elektorale të 28 qershorit. Por, përkundër kësaj përpjekje, Rama dje në takimin me drejtuesit e degëve të PS-së, të Elbasanit dhe të Lezhës, ka demonstruar se ai është pjesë dhe përgjegjësi i vetëm i thellimit të hendekut mes tij dhe strukturave të partisë.
Nga ana tjetër, përballë tentativës së Edi Ramës, për të shpërndarë lajme dhe informacione për një “konsultim demokratik”, mbi përzgjedhjen e emrave të kandidatëve nëpër listat e deputetëve të qarqeve, mësohet se realisht ai e ka bërë gati këtë listë. Përkundër kësaj, përpjekjet e fundit, nuk janë asgjë më shumë se një farsë që kreysocialisti ka zgjedhur të mashtrojë anëtarësinë e PS-së, dhe të justifikojë më pas largimin nga listat të “të padëshiruarve”, për kandidatë të mundshëm për deputetët.

Konfliktet zbresin në Elbasan e Lezhë
Duke përfituar nga vendimi i një dite më parë për ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit politik për shkak të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, Rama ka zhvilluar dje paradite në mjediset e selisë ylberiste një takim me krerët e degëve të PS-së në Elbasan e Lezhë. Ky takim, që kishte si qëllim “konsultimin” për emrat e kandidatëve për deputetë të PS-së, në këto qarqe, ka përfunduar në sherr midis kryesocialistit dhe krerëve lokalë të partisë.
Kreu i PS-së së Elbasanit, Agim Leka, prezent në takimin e djeshëm me Edi Ramën, duket, nuk është joshur nga premtimi i kryesocialistit “se edhe ti do të jesh në grupin e punës”. Përballë kësaj “oferte”, mësohet se Agim Leka, në mënyrën më të drejtpërdrejtë, i ka kërkuar Edi Ramës, të jetë më konkret dhe t’i thotë se i sati do të jetë ai vetë (Agim Leka), në listën e kandidatëve për deputetët të PS-së, në qarkun e Elbasanit.
Përballë kësaj kërkese Rama i ka bërë të ditur Lekës, se Valentina Leskaj do të kryesojë listën e kandidatëve të PS-sës, në qarkun e Elbasanit. Kur pas këtij “sinqeriteti” Agim Leka i ka kërkuar të jetë i dyti në këtë listë, Edi Rama nuk ia ka bërë të gjatë, por i ka lënë të kuptojë se ende nuk ishte i qartë nëse, i dyti në listën e qarkut të Elbasanit, do të ishte Saimir Tahiri i Fondacionit “Qemal Stafa”, apo Olta Xhaçka e G 99-s.
Menjëherë pas kësaj, i fyer dhe i shpërfillur, Agim Leka, nuk ka pasur të bëjë asgjë më shumë, sesa të adresojë një lumë fyerjesh e kërcënimesh në adresë të kryesocialistit Edi Rama.
Edhe ballafaqimi i djeshëm me kreun e PS-së së Lezhës, mësohet se nuk ka qenë aq “miqësor” e këshillues” sa ishte paralajmëruar. Gjovalin Kadeli, kreu i PS-së së Lezhës nuk e ka mirëpritur idenë e Edi Ramës për të vendosur të parën në listën e kandidatëve për deputetë në këtë qark, Lindita Nikollin, kreun aktual të Minibashkisë Nr. 1 të Tiranës. Kadeli mësohet se e ka lakmuar vetë këtë pozicion, i cili i është refuzuar nga Edi Rama.
Fundi i këtij takimi “këshillues” ka qenë i njëjtë. Në zemërim e sipër, Gjovalin Kadeli ka “kryer detyrimin e tij”, duke lëshuar sharjet dhe kërcënimet e radhës ndaj kreut të PS-së, Edi Rama.

Konsultimet për kandidatët një farsë e Edi Ramës
Përpos informacioneve që Edi Rama “trafikon” nëpër media se medemek ka filluar konsultimet për listat e kandidatëve, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të axhendës së përpilimit të një liste të plotë të emrave, bëjnë të ditur se kjo listë ka përfunduar dhe se ajo do t’i prezantohet opinionit publik në afatin e fundit që parashikon Kodi i ri Zgjedhor, saktësisht në 13 maj.
Burime afër kreut të PS-së, bëjnë të ditur se përpos kësaj procedure rutinë “në emër të konsultimeve”, Edi Rama ka përcaktuar tashmë se cilët do të bëjë pjesëtarë të aventurës së tij me politikën e re dhe cilët nga figurat e njohura te selisë rozë do t’i nxjerrë në pension të parakohshëm.
Pavarësisht kërshërisë së medias, Partia Socialiste ka mbetur vazhdimisht e bunkerizuar për sa i përket kësaj çështje, një heshtje kjo që ka shkaktuar jo pak tension në radhët e grupit parlamentar socialist dhe në tërësi në selinë qendrore të Partisë Socialiste. Më të qetë për momentin, duket se janë bashkëpunëtorët e ngushtë të Ramës në bashkinë e Tiranës që duket se e kanë të sigurt kandidimin ndërsa po aq të sigurt janë edhe disa “xhaketa të vjetra” që kanë mbështetur me fanatizëm linjën politike të kryesocialistit, pavarësisht se kohë pas kohe reformat drastike strukturore të ndërmarra nga ky i fundit, kanë rënë ndesh me Statutin e PSSH-së.
Detyrimi që kodi imponon për daljen e secilës forcë me emrat e vetë, i mundëson Ramës që me 140 emrat për kandidatë të bërë jo pak ndere rretheve të tij të njohura, duke promovuar në fushatë emra që mbase do të dëgjohen për herë të parë nga opinioni publik.
Disa kohë më parë Rama pati deklaruar se hartimi i listave të kandidatëve për deputet do të bëhet përmes një procesi demokratik dhe transparent. Sipas tij listat e kandidatëve do të përgatiteshin nëpërmjet një procesi të gjere konsultash me qytetarët. Por përgjatë turit nëpër rrethe përveç fjalimeve standarde mbi përplasjen e madhe të “politikës së vjetër” dhe “politikës së re”, askush nga simpatizantët e thjeshtë nuk ka mundur që të kuptojë nëse ka apo jo konsultime, marrje mendimesh apo propozime emrash konkretë. Ngushëllimi i vetëm në këtë rast është fakti që në këtë çështje nuk janë të paqarta vetëm fatet e shumë deputetëve aktualë të grupit parlamentar të PS-së por mbetet i dyshimit edhe pozicioni  që vetë kryesocialisti Rama do të ketë në këtë përballje elektorale, e cila ndryshe nga ajo e lokaleve të shkurtit 2007 dhe gjithnjë nëse  statuti i retushuar e ka një farë vlere, përbën edhe provën e zjarrit për kryebashkiakun që nëse humb detyrohet që të braktisë drejtimin e selisë rozë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›