Serbi-Shqipëri, pa viza. Nënshkruhet marrëveshja
TIRANË- Zyrtarizohet heqja e vizave mes Shqipërisë dhe Serbisë. Marrëveshja Mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, mes dy vendeve u nënshkrua sot në ministrinë e jashtme dhe u firmos nga Selim Belortaja, Zëvendësministër i Jashtëm dhe Ambasadori i Republikës së Serbisë në Tiranë, Z.Miroljub Zaric.
Sipas ministrisë, marrëveshja për lëvizjen e lirë është e bazuar mbi parimet e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, vullnetit të mirë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe synon mundësimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve nga njëri shtet në tjetrin.
Marrëveshja parashikon përjashtimin nga viza për hyrjen në territorin e secilës palë për një vizitë ose qëndrim që nuk i kalon 90 ditë brenda 180 ditëve- thuhet në marrëveshje.
Ndërkohë procedura për shtetasit, të cilët dëshirojnë të qëndrojnë për një periudhë më të gjatë kohe në territorin e njërës palë kontraktuese, për qëllime studimi, punësimi, ribashkimi familjar, etj, do ti nënshtrohet kërkesave të legjislacionit të brendshëm të secilit vend.