E Hënë, 2 Nëntor 2026

Serbi, studentët kërkojnë largimin e policisë dhe shkarkimin e dekanit në Novi Sad- Organizohen protesta kundër bllokadës

Protestat studentore në Serbi, që po zgjasin prej muajsh pas tragjedisë së 1 nëntorit 2024 në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona pas shembjes së një tende, kanë hyrë në një fazë të re tensioni.

Studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Novi Sad hynë sot në ambientet e Fakultetit të Filozofisë, ku bashkëmoshatarët e tyre po qëndrojnë prej ditësh në shenjë proteste për kërkesën e llogaridhënies nga autoritetet.

Dekani i Fakultetit të Filozofisë, Milivoj Alanoviq, ndërhyri duke kërkuar largimin e tyre, dhe në mëngjes urdhëroi një bllokadë të ndërtesës.

Menjëherë pas kësaj, në vendngjarje mbërritën Njësia e Ndërhyrjes dhe tre makina policie, ndërsa më pas u përfshi edhe xhandarmëria, raportoi televizioni N1.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa studentët shprehen të vendosur të vazhdojnë protestën deri në marrjen e përgjegjësisë nga autoritetet për humbjen e jetëve.

Studentëve dhe profesorëve iu bashkuan fermerë dhe grupe qytetarësh gjatë gjithë ditës për t’u ofruar atyre mbështetje.

Studentët e Fakultetit të Filozofisë në Novi Sad: Dekani Alanoviq jep dorëheqjen menjëherë

Studentët dhe një numër qytetarësh u mblodhën për natën e gjashtë me radhë para ndërtesës së Fakultetit të Filozofisë në Novi Sad, duke kërkuar dorëheqjen e Dekanit Milivoje Alanoviq, i cili të martën në mëngjes hyri me forcë në ndërtesë me disa punonjës dhe nxori studentët që po bllokonin fakultetin.

Studentët e Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Novi Sadit dënuan veprimet e dekanit Milivoj Alanoviq dhe kërkuan dorëheqjen e tij të menjëhershme sepse “me sjelljen e tij ai humbi përgjithmonë legjitimitetin për të kryer atë funksion”.

Sipas tyre, duke thirrur policinë në Fakultet pa konsultimin dhe pëlqimin e komunitetit akademik, dekani Alanoviq shkeli rëndë autonominë e Universitetit dhe vlerat themelore të komunitetit akademik, siç janë dialogu dhe respekti për dinjitetin.

Studentët kërkojnë hetim të pavarur për incidentet me dekanin dhe policinë, paralajmërojnë mosbindje civile

Në një njoftim zyrtar, studentët kërkojnë që të gjitha incidentet që përfshijnë dekanin, punonjësit dhe policinë gjatë periudhës së mëparshme të hetohen në mënyrë të pavarur, dhe që përgjegjësit të sanksionohen në mënyrë adekuate.

Ata kërkojnë gjithashtu garanci për të drejtën e tyre për të shprehur lirshëm mendimet, për t’u mbledhur dhe për të marrë pjesë aktive në jetën akademike, pa frikë nga represioni.

Studentët paralajmërojnë se nëse kërkesat e tyre injorohen, do të vazhdojnë me forma të mosbindjes civile dhe studentore, duke theksuar se mbrojtja e vlerave akademike dhe të drejtave të tyre është detyrim, jo opsion.

Mbështetësit e qeverisë organizohen kundër bllokadave në të gjithë Serbinë

Mbledhjet e qytetarëve që kundërshtojnë bllokadat kanë filluar në të gjithë Serbinë, dhe këtë herë qytetarët po mblidhen edhe në qytetet e mëdha – Beograd, Novi Sad, Kragujevc- raporton Tanjung.

Sipas kësaj media është njoftuar, nga tubimet do të thuhet se bllokadat pengojnë funksionimin e përditshëm dhe se qytetarët duan një jetë normale, të lëvizin lirshëm, të punojnë dhe të studiojnë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›