“Serbia Shuma” rrezikon pasurinë e rezervatit “Duboqak”

Banorët e fshatrave shqiptare, Kuçicë, Koprivë e Broboniq, të cilat gjenden përreth rezervatit të kafshëve të egra “Duboqak”, janë alarmuar për një provokim të ri të strukturave paralele serbe. Sipas tyre, hapësira të tëra të malit, i cili është në mbrojtje të këtij rezervati, janë vulosur me vulën e organizatës ilegale të pyjeve “Serbia Shuma”.
“Vulosje e lisave nga ana e strukturave serbe është bërë me qëllim që ato pjesë të pyllit të priten më vonë, sigurisht për shitje sikur edhe shumë herë të tjera, edhe pse kjo pjesë e malit është e mbrojtur me ligj”, ka deklaruar Bashkim Hasani, banor i fshatit Koprivë.
Këtë veprim të paligjshëm e ka pohuar edhe Besim Zogaj, drejtor i Drejtorisë për Menaxhim me Kafshë të Egra, Gjueti dhe Ekoturizëm, me seli në Prishtinë.
Rezervati “Duboqak”, në sipërfaqe prej mbi 6.800 ha, shtrihet në territorin e komunave Skenderaj, Mitrovicë dhe Zubin Potok, dhe është një prej 4 vendeve të tilla në Kosovë të cilat janë shpallur me interes te veçantë për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.