E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia kërkon ndryshim të IBM-së

Nuk ka kaluar as një javë prej se ka nisur zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq udhëheqësit e Beogradit kanë kërkuar nga Brukseli që të ketë ndryshim të marrëveshjes, në mënyrë që serbët të mos paguajnë doganë Kosovës për mallrat e tyre.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq, i cili vetë ka marrë pjesë në marrëveshje, ka vizituar një ditë më parë baroneshën Catherine Ashton, nga e cila ka kërkuar që prej datës 10 janar vitit ardhshëm, serbët të mos paguajnë më doganë për mallrat që hyjnë në Kosovë.

Kërkesa e tij ka ardhur pasi që biznesmenët serbë kryesisht të veriut kanë paralajmëruar masa radikale kundër doganave.

Nuk dihet saktësisht përgjigjja që Daçiq ka marrë nga Ashton, meqë nuk është bërë publike.

Por të njëjtën ditë, Beogradit i është bërë me dije nga EULEX-i, se dogana duhet paguar.“Duhet të paguani doganën, e sa i përket pagesës për atë vendosin udhëheqësit e bisedimeve nga Prishtina dhe Beogradi”, kështu citohet në mediet serbe, t’i ketë thënë të premten serbëve të veriut, shefi i Doganës në EULEX, Gafi Men.

Gazeta ka kuptuar se shumë kamionë që vijnë nga Serbia për në Kosovë, po kthehen prapa pasi që nuk po mund të kalojnë pa pagesë, siç kanë bërë deri para 10 dhjetorit.

“Janë me dhjetëra kamionë që janë kthyer vetëm tre ditë e fundit. Biznesmenët serbë nuk duan të paguajnë doganën e Kosovës, sepse nuk e njohin atë. Pastaj mallrat janë për banorët serbë të veriut dhe nuk kanë pse të paguajnë Prishtinën për këtë”, tha në kushte anonimiteti një politikan serb në veri.

Sipas tij, të premten disa prej biznesmenëve serbë të veriut janë takuar me zyrtarë nga EULEX-i, dhe po ashtu kanë dërguar kërkesë kryeministrit Daçiq që të bëjë një zgjidhje.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, as që duan të komentojnë kërkesën e Daqiçit për heqjen e pagesës së doganës.

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, tha shkurt për “Zëri”, se doganat duhet paguar. “Kodi Doganor duhet të respektohet në çdo pikë kufitare të Kosovës në mënyrë të njëjtë”, tha ai.Sa i përket kthimit të kamionëve me mallra serbe, zyrtarë nga dogana të paktën zyrtarisht thonë se nuk kanë informacione të tilla.

Sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, çdo gjë po shkon në mënyrë të rregullt.“Ne nuk kemi vërejtur telashe. Mallrat po hyjnë, më shumë ka konsumime ditore, ushqime, pra import të mallrave komerciale”, tha shkurt Stavileci për gazetën.

Ndryshe, analistë politikë në Kosovë mendojnë se tani është momenti për të parë se sa seriozisht e marrin marrëveshjen palët, përfshirë edhe Brukselin.

Analisti, Adrian Arifaj, tha se marrëveshjet janë të panegociuara, dhe se ato nuk mund të ndryshohen më pas.Rreth 120 afaristë dhe ndërmarrës serbë të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, në një takim të përbashkët që kanë mbajtur, kanë vendosur që ta bllokojnë Jarinjën, të hënën me 17 dhjetor.

Nëpërmes të një komunikate për mjetët e informimit, afaristët serbë kanë thënë, se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit është shkelur, pasi që kalimi i kamionëve me mallra që dedikohen për veriun e Kosovës, po kushtëzohet me pagesën e doganës dhe taksave tjera doganore. Ata gjithashtu kanë thënë, se nuk Jarinje nuk po zbatohen as garancitë që kanë marrë nga krerët e shtetit, se serbët nuk do të paguajnë doganë.

Afaristët serbë, sipas komunikatës, do të protestojnë dhe do ta bllokojnë Jarinjen, dy o rë, nga ora 10:00 deri në ora 12:00. Në komunikatë thuhet se do të lejohen të kalojnë vetëm “automjetët me prioritet” ./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›