E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk duhet vetëm AKI të mbikëqyrë përgjimet

Projektligji për përgjimet telefonike, i hartuar nga Qeveria ende nuk ka arritur në Komisionin për Mbikqyrjen e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës. Përderisa zyrtarë të Qeverisë thonë se përgjimet mund të jenë të koncentruara në një agjencion të veçantë, anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI, thonë për Radio Kosovën se AKI nuk duhet të jetë i vetmi organ që i mbulon gjitha çështjet e përgjigjmeve.

Me qëllim të krijimit të sigurisë për gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, Qeveria hartoi projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve. Ky projektligj, sipas zv/kryeministrit Hajredin Kuçi, bazohet në frymën e legjislacionit të BE-së dhe çështja e përgjimeve do të koncentrohet në një agjencion të veçantë në bashkëpunim me institucione tjera.

Mirëpo anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikqyrjen e AKI nuk e shohin të arsyeshme që Agjeniconi i Intelegjencës të jetë organi i vetëm që i mbulon përgjimet. Kryetari i këtij Komisioni, Florin Krasniqi, nga Vetëvendosja, tha për Radio Kosovën se duhet të shikohen praktikat e vendeve të ndryshme sa i përket çështjes së përgjimeve.

“Kemi marr praktia të vendeve tjera për përgjimet. Përgjimet janë tepër sensitive, është diçka që vendet e zhvillume tepër demoakrtike kanë shumë problem, andaj, ne, ligjin duhet ta shikojmë me tepër kujdes. Pse Qeveria ngutet tash për faktin se ata janë zënë ashtu si janë zënë, ne nuk ngutemi me kalu këtë ligj, sepse është tepër sensitive. Kur bëhen përgjimet janë pyetje të pashpjegueshme se çfarë ndodh me personin që bisedon e nuk është nën hetim, çka ndodh me përgjimet, a kthehen ato, kush ka akses në to”, tha Krasniqi.

Ndërsa, Burim Ramadani nga AAK-ja, nuk pranon që çështja në fjalë të koncentrohet në një organ të veçantë.

“Nuk dua të besojë se në këtë projektligj e kanë futur AKI si organin e vetëm që i mbulon gjitha çështjet e përgjimeve dhe ruajtjen e tyre. Një zhvillim i tillë është ‘Gestapo shtet’ dhe kjo nuk guxon të ndodh në Kosovë. Kodi penal i përcakton procedurat që ndodhin në mes prokurorit, gjykatësit dhe procedurës paraprake dhe policisë, sidomos për çështjet penale që është çështje e policisë dhe e organeve të zbatimit të ligjit si e tillë është edhe dogana edhe institucionet tjera, ndërsa në çështje parandaluese është AKI, organi i cili merret me të. Pra, nuk guxojmë të bëjmë modele si disa shtete në rajon që janë dëshmuar si të dëmshme dhe të gabueshme”, theksoi Ramadani.

Ndërsa, Fadil Demaku nga PDK shprehet për një koordinim të organeve për menaxhimin e situatave në raste të përgjimeve.

“Kjo çështje duhet të rregullohet strikt, duhet të qartësohet roli i secilit në këtë proces. Asnjë instancë nuk duhet të ketë liri të pakufizueshme, sepse duke pasur parasysh çështjet që janë tepër të ndjeshme duhet të këtë një koordinim të qartë të institucioneve të sigurisë për t’u menaxhuar situata siç është rasti me përgjimet”, thotë Demaku.

Ndërkohë, organizata joqeveritare FOL kërkon që projektligji për përgjimet t’i nënshtrohet një debati të gjerë publik, para se ai të shkojë në Kuvendin e Kosovës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›