E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Serbia mund të nxisë incidente gjatë Vidovdanit”, Kurti paralajmëroi për përpjekje destabilizuese në Gazimestan

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi se Serbia mund të përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga protesta antiqeveritare që zhvillohet të shtunën në Beograd, duke nxitur incidente në Kosovë gjatë festës së Vidovdanit.

Kurti theksoi se megjithëse ka karakter fetar, ajo festë vazhdimisht është shoqëruar me retorikë politike, nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë.  

“Pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive, të nxisin incidente në Gazimenstan. Sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës, ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv, prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina që të vijnë në Kosovë. Grupet e tilla kanë qenë tradicionalisht provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu kundër vlerave demokratike dhe evropiane,” deklaroi z. Kurti.

Kryeministri në detyrë kërkoi që tubimet për shënimin e Vidovdanit të organizohen në përputhje të plotë me ligjin, ndërsa u drejtoi nje thirrje edhe pjesëmarrësve, veçanërisht nga komuniteti serb. 

“U bëjmë thirrje bashkatdhetarëve tanë që të mos bien pre e asnjë provokimi,” tha kryeministri.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe rajoni tradicionalisht e shënojnë Vidovdanin më 28 qershor në Gazimestan, një monument historik pranë Prishtinës.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›