E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia në krye të presidencës së OSBE, përqëndrohet te bashkëpunimi

Serbia shpreson të kontribuojë për lehtësimin e krizës në Ukrainë dhe për marrëdhënie më të mira në Evropën Juglindore gjatë vitit të saj në presidencën e OSBE-së.

Serbia, e cila mori presidencën njëvjeçare të Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më 15 janar, ka njoftuar se prioritetet e saj do të jenë zgjidhja paqësore e krizës ukrainase, si edhe përmirësimi i marrëdhënieve në Evropën Juglindore. "Parimet që do të drejtojnë Serbinë gjatë kryesimit të saj të OSBE-së janë zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, forcimi i besimit, solidariteti, përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi. Këto do të jenë pikat kryesore që do të na drejtojnë për adresimin e sfidave me të cilat përballemi", tha për rrjetin ballkanik “SET” ministri i jashtëm serb dhe Kryetari i OSBE-së Ivica Daçiç.

Daçiç ka vizituar Ukrainën, e cila do të jetë një sfidë e madhe gjatë presidencës serbe. Serbia ka marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Ukrainën, që shpresohet të jetë një avantazh në zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Aleksandar Mitiç, drejtues i Qendrës për Alternativa Strategjike të Beogradit, tha se Serbia "nuk do të rrezikonte të hynte në konflikt me Perëndimin dhe Rusinë në lidhje me Ukrainën, pavarësisht afërsisë që publiku apo liderët serbë mund të kenë me palët e përfshira në mosmarrëveshje".

"Beogradi do të përpiqet të përfitojë nga presidenca e OSBE-së për t'i vërtetuar, kryesisht Bashkimit Evropian, se Serbia mbron një bashkëpunim rajonal aktiv, pavarësisht problemeve të shumta të pazgjidhura, si për shembull Bosnja dhe Kosova, si edhe çështjeve të ndjeshme dypalëshe me Shqipërinë dhe Kroacinë", tha Mitiç.

OSBE-ja u themelua në vitin 1975 gjatë Luftës së Ftohtë, si një forum dialogu mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe ka 57 anëtarë nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia.

Sondazh

A e mbështesni protestën siç është zhvilluar dy ditët e fundit nën emrin e studentëve?

  •                                                                         Po
    
    •                                                                     Jo
      
      •                                                                 Nuk e di
        

Lexo gjithashtu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›