E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia te shpia

Gjermania dhe Gana janë dy skuadrat tjera që e kanë siguruar një vend në të tetën e finales së Botërorit 2010. Gjermanët e siguruan një vend ndër 16 skuadrat më të mira falë fitores pikërisht ndaj ganezëve me rezultat 1:0.

Ndërsa, jug-afrikanët, edhe pse humbën, megjithatë ecën përpara. Për këtë, ata duhet t’i falënderohen ekskluzivisht Australisë, e cila në përballjen tjetër të Grupit D e mposhti Serbinë me rezultat 2:1, i cili e dërgon në shtëpi ekipin serb.

Ekipi i Joachim Loew e siguroi fitoren vetëm në pjesën e dytë, derisa skuadrat ishin të barabarta në atë të parë. Turku i natyralizuar, Mesut Ozil ishte shpëtimtari i tri herë kampionëve të botës, pasi shënoi golin e fitores në minutën e 60-të, pas një goditjeje të fuqishme dhe të saktë nga 18 metra.

Në vazhdim, skuadra gjermane e ruajti me kujdes këtë epërsi, ndërsa ganezët nuk ishin të aftë të shënonin, edhe pse patën raste. Në ndeshjen tjetër, Australia ishte më e mirë sesa Serbia, sidomos në pjesën e dytë.

“Kangurët” realizuan dy gola për vetëm 4 minuta, me anë të Cahill (69’) e Holman (73’), kurse goli i serbit Pantelic (84’), ishte i vonshëm dhe doli të jetë i panevojshëm. Kështu, serbët, bashkë me australianët, mund t’i paketojnë valixhet dhe të kthehen në shtëpi. Në të tetën e finales, Gjermania do të ketë punë me Anglinë, kurse Gana me SHBA-të.

Grupi D

Rezultatet
Gana-Gjermania 0:1
Australia-Serbia 2:1

Tabela ND PI
1. Gjermania 3 6
2. Gana 3 4
3. Australia 3 4
4. Serbia 3 3

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›