E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A, edhe për dy sezone të tjera në DigitAlb

Risitë e platformës prestigjioze televizive: ekskluzivitetin për Shqipërinë dhe për Kosovën, e gjitha edhe në HD

Seria A tashmë e ka një “shtëpi” thuajse të përhershme në Shqipëri: ajo mban emrin “DigitAlb” dhe është platforma prestigjioze dixhitale, shumë e dashur për shqiptarët. Pas një tradite të suksesshme 3-vjeçare, kampionati italian i futbollit do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj platforme edhe për vitet e ardhshme, por me disa risi. Kur kanë mbetur më pak se 2 muaj deri në startin e evenimentit më të madh të futbollit botëror, Botërori Afrika e Jugut 2010, që do të transmetohet në paketën “SuperSport”, “DigitAlb” ka vendosur t’u bëjë një tjetër dhuratë shqiptarëve. Kompania e transmetimeve dixhitale ka nënshkruar kontratën e re 2-vjeçare për të mbajtur në ekranin e “SuperSport” kampionatin më të admiruar të të pasionuarve për sportin më të bukur dhe më popullor në botë. Seria A do të transmetohet në paketën “SuperSport” edhe për dy vitet e ardhshme. Shqiptarët do të vazhdojnë të ndjekin të gjitha ekipet italiane që kanë bërë histori në futbollin botëror, Milan, Inter, Junvetus, si dhe të gjitha ndeshjet e skuadrave të tjera që pretendojnë titullin në Serinë A, Roma, Fiorentina, Napoli, Sampdoria, Lazio. Risitë e “DigitAlb” nuk përfundojnë me kaq. Në të kaluarën ka pasur ankesa në lidhje me cilësinë e transmetimit: regjinë, zërin, “Replay”-n etj., në krahasim me transmetimet e kampionateve të tjera si Premier League dhe Bundesliga, ku zakonisht janë të instaluara 24 kamera. Por kompania italiane “Media Partners&Silva”, që menaxhon të drejtën televizive të Serisë A në të gjithë botën, ka garantuar se ndryshe nga sezonet e kaluara, do të sjellë cilësinë maksimale të transmetimeve. Qartësia e figurës dhe zërit do t’i bëjë të gjithë të kujtojnë se janë vetë në stadiumet italiane. Të gjitha ndeshjet e Serisë A për sezonin 2010-2011 dhe 2011-2012 do të transmetohen edhe në formatin HD, gjë që në të kaluarën nuk ka qenë e mundur. Ndërkohë që një tjetër risi ka të bëjë edhe me faktin se kontrata e re 2-vjeçare i jep të drejtën kompanisë “DigitAlb” të ketë ekskluzivitetin e transmetimeve të këtij kampionati jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Për herë të parë, edhe shqiptarët në territorin e Kosovës do të ndjekin “live” emocionin e ndeshjeve të futbollit italian ekskluzivisht në kompaninë “DigitAlb”. Një mundësi kjo për të mos u humbur, pasi “DigitAlb” nënkupton edhe të tjera kompeticione prestigjioze sportive, si kampionatet më të rëndësishme të kontinentit, Champion League, Europa League, pa harruar Botërorin Afrika e Jugut 2010, që për herë të parë do të jepet e gjitha në formatin HD.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›