Andorra, miqësorja e 2 qershorit, një tjetër viktimë e Shqipërisë
Pas Malit të Zi më 25 maj, zyrtarizohet edhe miqësorja tjetër e Shqipërisë më 2 qershor 2010 në Tiranë. Kundërshtari do të jetë Andorra. Kjo do të jetë hera e tretë që Shqipëria do të përballet me këtë skuadër, vetëm në ndeshje miqësore. Në dy takimet e para janë koleksionuar: një fitore në miqësore në stadiumin “Ta’Qali” të Maltës 3-0 për Shqipërinë. Ndërsa në miqësoren tjetër të luajtur më 17 mars 2002 në “Andorra La Vela”, skuadra vendase ka fituar me rezultatin 2-0, gjë që shkaktoi edhe largimin e trajnerit të atëhershëm, Sulejman Demollari, i cili më pas akuzoi se ishte “tradhtuar” nga futbollistët e tij. Shqipëria ka zhvilluar këtë vit një miqësore të fituar 1-0 ndaj Irlandës së Veriut, me golin e Ervin Skelës. Miqësorja me Malin e Zi është e dyta, madje malazezët janë kundërshtarët e parë të Shqipërisë në historinë ndërkombëtare të futbollit, pavarësisht se si pjesë e ish-Jugosllavisë ata nuk mund të konsideroheshin një shtet. Ndeshja e zhvilluar në Shkodër përfundoi 5-0 për Shqipërinë (22 shtator 1946), pak javë përpara se ajo të fitonte Kampionatin Ballkanik në “Qemal Stafa” nën drejtimin e trajnerit serb Ljubisha Broçiç, trofeu i parë, shumë kohë përpara trofeut të fituar nga Medin Zhega në vitin 2000 në “Rothmans Cup” në Maltë. Ndërsa ajo me Andorrën është e treta për vitin kalendarik 2010. Andorra modeste është një histori e hidhur për Shqipërinë e veçanërisht për trajnerin e fundit shqiptar të Kombëtares, Sulejman Demollari, i shkarkuar pas humbjes 2-0 në vitin 2002, e cila u përfol edhe për një trukim të mundshëm nga futbollistët kuqezinj të asaj kohe. Andorra është një skuadër thuajse amatore, e cila pozicionohet në vendin e 20 në renditjen e FIFA-s dhe e 52-a nga 53 skuadra në total, në renditjen e UEFA-s.
Ndërkohë që Shqipëria është e 83-a (e 40-a në renditjen e UEFA-s), pasi fitoi 13 vende menjëherë pas triumfit 1-0 në miqësoren ndaj Irlandës së Veriut në muajin mars. Kjo skuadër ka fituar vetëm 3 takime në historinë e saj, një prej tyre ndaj Shqipërisë. Për trajnerin kroat të përfaqësueses kjo do të jetë miqësorja e tij e gjashtë, ku deri tani ka koleksionuar 2 fitore dhe 2 barazime dhe pak përpara, më 25 maj, do të luajë ndaj Malit të Zi në Podgoricë.
#