Sërish arrestime në Turqi, 40 persona në Stamboll në pranga me akuzën e korrupsionit

40 persona u vunë të premten në pranga në një operacion të ndërmarrë nga policia turke në Stamboll, bastioni i opozitës turke.
Mes të arrestuarve janë edhe kryebashkiaku i distriktit Bejollu dhe disa këshilltarë të tij të afërt.
Vala më e fundit e arrestimeve, e ndërmarrë mbi bazën e akuzave për korrupsion, është pjesë e masave goditëse që autoritetet e vendit kanë nisur prej muajsh ndaj partisë opozitare, asaj Republikane të Popullit.
Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivali kryesor i presidentit Reccep Tayyip Erdogan, u arrestua në muajin mars dhe aktualisht ndodhet në burg. Arrestimi i tij nxiti protestat më të mëdha të dhjetë viteve të fundit në vend. Përveç Imamoglu janë arrestuar edhe nëntë nga 26 kryebashkiakët e distrikteve të Stambollit. Shumë prej tyre janë akuzuar për korrupsion, akuza që i kanë hedhur poshtë.
Sipas analistëve, qeveria turke po përpiqet të minojë Partinë Republikane të Popullit, e cila doli qartësisht fituese e zgjedhjeve lokale që u mbajtën në pranverë të vitit të shkuar.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/