E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish protesta, “shkarkimi në proces”

Grupi i Qytetarëve të Organizuar nuk e kanë ndërmend të ndalen së protestuari derisa të gjitha kërkesat e qytetarëve të jenë plotësuar. Organizatorët, kanë paralajmëruar një tjetër protestë për javën e ardhshme.

Ndërkaq, qëllimi i protestës dhe kërkesat mbesin të njëjta.

Organizatorët kërkojnë: shkarkimin e menjëhershëm të drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj dhe vënien para drejtësisë, shkarkimin e bordit menaxhues të KEK-ut, shkarkimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj si dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pasi që sipas tyre drejtoria në kuadër të Policisë së Kosovës kundër krimeve ekonomike nuk e ka kryer asnjë proces kundër korrupsionit.

Anëtarja e Grupit të Qytetarëve të Organizuar, Teuta Hoxha është shprehur e vendosur që protestat nuk do të ndalen derisa të plotësohen krejtësisht të gjitha kërkesat, jo vetëm pjesërisht. Ajo ka kërkuar hetime rrënjësore për të gjithë ata që janë përfshirë në skandalet dhe aferat korruptive të KEK-ut.

Sipas saj, politikat tarifore, çmimi i lartë i energjisë elektrike, dhe rastet e korrupsionit janë shqetësimi kryesor i qytetarëve.
“Politikat tarifore dhe çmimi i lartë i energjisë elektrike nuk përkojnë me standardin e qytetarëve, ato po e rëndojnë çdo ditë dhe më shumë jetën e qytetarëve, prandaj protesta do të vazhdojë edhe javën e ardhshme, grupi është në koordinim me sindikatat dhe OJQ-të për ecurinë e protestave, qytetarët janë të gatshëm për t’u bashkangjitur”, ka shtuar Hoxha.

Ndryshe, protestat e njëpasnjëshme që kishin filluar si shprehje e pakënaqësisë ndaj faturave të muajit janar janë kthyer edhe në protesta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›