E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sesion letrar për Sylejman Krasniqin

Në organizim të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës të shtunën në lokalet e Institutit Albanologjik të Prishtinës u mbajt sesion letrar kushtuar veprës letrare të shkrimtarit dhe atdhetarit Sylejman Krasniqi, i cili ndërroi jetë në korrik të këtij viti.

Familjarë, akademikë, profesorë e shkrimtarë të shumtë kishin ardhur ta nderonin jetën e dhe veprën e shkrimtarit Sylejman Krasniqi, për të cilin u tha se megjithëse ka të shkruar një numër të madh veprash me vlerë opinioni kosovar nuk i ka kushtuar edhe aq shumë vëmendje.

Siç njofton Kosovapress, profesor Emin Kabashi foli për veprën letrare të Sylejman Krasniqit duke thënë se ai fakteve historike u ka dhënë shpirt, duke i shndërruar në vepra artistike.

“Shkrimtari Sylejman Krasniqi, fakteve dhe fateve historike u ka dhënë shpirt dhe i ka shndërruar në vepër artistike, disa prej romaneve të tij me temë historinë tonë kombëtare edhe sot lexohen si realizime të shumta letrare. Historia në romanet e tij në pjesën më të madhe të veprës së tij në përgjithësi nuk është vetëm mbamendje, nuk është vetëm përvojë e historisë së mësuar dhe të përjetuar por është edhe hulumtim arkivor”, tha Kabashi.

Në anën tjetër, për Sylejman Krasniqin prej atdhetari të shquar kombëtar foli profesoresha Sabile Keçmezi-Basha, e cila tha se Krasniqi kishte propaganduar haptas kundër regjimit jugosllav dhe kishte pasur qëllim bashkimin me Shqipërinë.

“Haptas propagandonte që shqiptarët të mos shkojnë në ushtrinë jugosllave ngase nga atje po na kthehen në arkivole. Në çdo hap ishte kundër sistemit okupues dhe të vetmen zgjidhje e shihte në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ngase jemi një popull, kemi një gjuhë dhe duhet të jemi një shtet thoshte ai”, tha ajo.

Ndërsa profesor Begzad Baliu u shpreh se vepra e Sylejman Krasniqit është shumëfish e pasur, andaj ka mundësi të bëhet objekt studimi.

“Si duket as vdekja e tij nuk ka bërë të përmendet. Emrin e tij nuk e gjejmë në botimet antologjike dhe enciklopedike të Kosovës edhe atëherë kur në tekstet e tyre gjejmë shkrimtarë më minorë, të cilët kanë botuar dy apo tre libra, sepse ashtu emrin e tij e konsiderojmë jo të përjashtuar, por të mbivendosur brenda kufijve politik të Shqipërisë” , theksoi ai.

Shkrimtari Sylejman Krasniqi u lind në Hoqë të Madhe të Rahovecit më 17 dhjetor 1937, ndërsa ndërroi jetë më 16 korrik 2011, duke lënë pas vetës vepra të shumta dhe krijimtari të bujshme letrare e artistike, të cilat përkujtohen me krenari nga opinioni i gjerë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›