E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sezoni turistik, aksion njëjavor për pastrimin e bregdetit të Durrësit

Prej tre ditësh bashkia e Durrësit ka nisur aksionin për pastrimin e të gjithë vijës bregdetare për t’u bërë gati për sezonin turistik.

Bashkia e Durrësit bën të ditur për ATSH-në se “që prej të hënës në qytetin bregdetar ka nisur puna për pastrimin e bregdetit. Ndërmarrja Komunale e Plazhit përveç pastrimit po punon për plugimin dhe dezinfektimin e rërës”.

Sipas bashkisë, aksioni është shtirë në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit si në Golem, Ishëm, Gjiri i Lalzit, etj.

“Ndërmarrja Komunale e Plazhit ka larguar nga bregu i detit tonelata me leshterikë, ndërsa këtij aksioni për sensibilizim i janë bashkuar edhe studentët e Universitetit, si dhe shkollat e qytetit”, – tha bashkia.

Aksioni për pastrimin e bregdetit pritet të përfundojë të dielën dhe gjithçka të jetë gati për hapjen e sezonit turistik. Mbeturinat e grumbulluara në fund të aksionit do largohen për në vendin e depozitimit të mbetjeve urbane.

Bashkia e Durrësit vazhdimisht gjatë sezonit turistik dhe jo vetëm, ka zhvilluar aksione pastrimi në plazhin e Durrësit.

Këto aksione shërbejnë jo vetëm për pastrimin dhe mbajtjen pastër të mjedisit urban, por edhe për ndërgjegjësimin e pushuesve dhe turistëve mbi ruajtjen e pastërtisë dhe shëndetit./ATSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›