Sezoni veror, Kumbaro: Këtë vit është shtuar sipërfaqja e plazheve publike

Fokusi i shtuar në këtë sezon veror do të jenë pastërtia dhe menaxhimi i bregdetit. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, gjatë një mbledhjeje me Task Forcën e Turizmit, theksoi se dyfishimi i hapësirave publike sjell edhe më shumë përgjegjësi për bashkitë në procesin e pastrimit.
“Vetëm sipërmarrjet që kishin një hotel mund të aplikonin për të menaxhuar një plazh. Ka qenë një proces shumë i gjatë, shumë i vështirë, një proces që do ta verifikojmë në terren në momentin që do të intensifikohet aktiviteti i plazheve. Është shtuar sipërfaqja e plazheve publike, kemi dyfishim të sipërfaqeve publike. Këto sipërfaqe shkojnë drejtpërdrejtë në ngarkim të Bashkive për t’u menaxhuar nga pikëpamja e pastërtisë dhe sigurisë”, tha ministrja.
Ndërkohë, Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, vuri theksin në vlerën ekonomike që turizmi sjell për bashkitë.
“Shumica e të ardhurave nga turizmi vitin e kaluar shkoi në bare dhe restorante ku janë punësuar shumë njerëz, një pjesë tjetër në hoteleri, në produkte agroushqimore dhe një pjesë në transport. Pra, teksa ndonjëherë vëmë theksin që turizmi për bashkitë mund të duket si formë “halli”, nga ana tjetër impakti që ka në ekonominë e vendit dhe në ekonominë e qytetarëve tuaj është i padiskutueshëm. E dimë që është një ngarkesë ekstra, por duhet t’i përgjigjemi këtij fluksi”, tha Mazniku.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për t’u ardhur në ndihmë bashkive, do të vazhdojë operacionin “Plazhe të Pastra” në bashkitë: Shkodër, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Fier, Divjakë, Vlorë, Himarë dhe Sarandë. Nuk përfshihen në këtë skemë bashkitë Lezhë dhe Pogradec, të cilat arrijnë ta menaxhojnë vetë pastrimin e sipërfaqeve të plazheve.
/rtsh.al/