E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria nis përgatitjet. Muçi, Asani e Ajeti, të fundit që i bashkohen grupit

Shqipëria, nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, ka nisur këtë të hënë përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror 2026. Bëhet fjalë për sfidën me Serbinë, që do të zhvillohet të shtunën në ora 20:45 në Arenën Kombëtare, si dhe transfertën e Rigës ndaj Letonisë vendëse më 10 qershor.

Grupi i futbollistëve ka qenë i plotë, ndërsa lojtarëve që kanë qenë në këtë stërvitje të parë i është bashkuar dhe Kristian Asllani, që vjen nga finalja e së shtunës në Ligën e Kampioneve ndaj Paris Sen-Zhermen.

Ndërkohë në mbrëmjen e së hënës të fundit që i janë bashkuar grupit janë Ernest Muçi, Jasir Asani dhe Arlind Ajeti. Një seancë stërvitore që ka nisur me përgatitjen fizike në palestër për të kaluar më pas në fushën e lojës në punën me topin. I vetmi që është stërvitur larg grupit ishte Myrto Uzuni, që për shkak të një dëmtimi të lehtë në kampionatin amerikan të futbollit ka kaluar në fizioterapi.

Me nga një seancë stërvitore deri ditën e ndeshjes me Serbinë kuqezinjtë do të vazhdojnë përgatitjet e tyre. Përgjithësisht gjendja e kuqezinjve është e mirë, ndërsa seanca e parë stërvitore e Shqipërisë ka qenë e hapur për mediet për 15 minuta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›