E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sezoni veror, Rrugorja e Lezhës: Gjatë 24 orëve qarkullojnë mbi 100 mijë mjete

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Në pikun e sezonit turistik, rrugët e Lezhës përballen çdo ditë me një fluks të automjetesh. Mbi 100 mijë mjete kalojnë brenda 24 orëve, ndërsa gjatë fundjavave numri shtohet edhe më shumë, për shkak të lëvizjeve drejt zonave bregdetare.

Përballë këtij volumi në rritje, Policia Rrugore ka shtuar ndjeshëm prezencën në terren. Patrullat janë të shpërndara në pikat më të ngarkuara, nga akset kombëtare deri tek degëzimet dytësore, duke koordinuar trafikun dhe ndihmuar drejtuesit e automjeteve.

Sipas të dhënave të Policisë, kulmi i trafikut regjistrohet pasditet e të dielave, kur rreth 60 mijë automjete nisen për të dalë nga zonat turistike.

“Qarku i Lezhës është një tranzit për të gjithë veriun. Në akset rrugore të Lezhës kalojnë një numër tepër i madh, veçanërisht në sezonin e verës. 6-mujorin e parë kanë kaluar më shumë se 80 mijë mjete në 2 pikat e kalimit kufitar. Ndërsa në sezonin veror në qarkun e Lezhës kalojnë mbi 100 mijë mjete, që do të thotë fluks shumë i shtuar. Shërbimet e Policisë janë të vendosura në të gjitha kryqëzimet”, tha Valmir Nikolli, shef i Qarkullimit Rrugor Lezhë, në një intervistë televizive.

Nikolli thotë se rastet e drejtimit në gjendje të dehur, përdorimin e celularit, si dhe parakalimet e rrezikshme, që mbeten ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve, kanë vëmendjen e policisë.

“Me qëllim parandalimin e incidenteve rrugore, i kemi mbikëqyrur në vazhdimësi drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat. Ne nuk e kemi lënë pas dore edhe kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë së qarkullimit rrugor”, përfundoi Nikolli.

/m.q//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›