E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tabaku: Investimeve të huaja u janë vënë barriera, ligjet shkruhen për një grusht klientësh

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku tha sot se vit pas viti besimi në ekonomi dhe tek institucionet qeverisëse ka rënë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se “vit pas viti, bizneset në Shqipëri përballen me të njëjtat plagë: informalitet, monopole, korrupsion dhe burokraci”.

“Na u tha se lufta kundër informalitetit do të shpëtonte ekonominë. Pastaj, se digjitalizimi do të na shpëtonte nga korrupsioni. Sot, na thonë se turizmi do të na shpëtojë të gjithëve. Të gjithë e dimë realitetin: Besimi në ekonomi bie çdo vit; Besimi tek institucionet bie çdo vit”, shkruan Tabaku.

Sipas Tabakut biznesi lufton çdo ditë përballë një qeverie që punon për pakicën dhe sundon mbi shumicën.

“Investimeve u janë vënë barriera. Jo nga tregu, por nga monopolet e sponsorizuara nga pushteti. Tregu është mbyllur jo nga rregullat, por nga qokat e qeverisë. Ligjet nuk shkruhen për të gjithë, por për një rreth të ngushtë klientësh.

Sipas Tabakut kemi një krizë të sajuar me duart e një qeverie që nuk ka punuar për qytetarët, por ka ndërtuar një sistem të padrejtë.

“Një sistem që takson më shumë se sa njerëzit fitojnë. Që ndëshkon punën dhe shpërblen lidhjet”, shkruan Tabaku.

Tabaku theksoi se shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që nuk jeton me propagandë, por punon për ta.

“Biznesi ka nevojë për ndershmëri, konkurrencë të lirë dhe rregulla që vlejnë për të gjithë. Kjo nuk mund të vijë nga një qeveri që sundon me slogane. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Jo për një tjetër shfaqje”, shkruan Tabaku.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›