Sezoni veror rrit fluksin e emigrantëve në kufi
Gjatë fundjavës, në doganat kufitare të Jugut, ka ardhur në rritje fluksi i emigrantëve shqiptarë që udhëtojnë nga Greqia në drejtim të Shqipërisë për të kaluar pushimet verore në vendlindje. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, gjatë orëve të para të ditës së shtunë në doganat e Kakavijes (Gjirokastër) dhe Çarçovës (Përmet) kanë lënë pas tokën greke për të udhëtuar në drejtim të Shqipërisë rreth 3 mijë emigrantë. Ndërkohë sipas shifrave të publikuara nga policia lokale, gjatë kësaj kohe në tokën shqiptare kanë hyrë edhe rreth 1 155 automjete, prej të cilave 20 autobuzë të linjave të udhëtarëve. Aktualisht në Kakavije, si “porta” më e madhe hyrëse nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, doganat në të dyja anët e kufirit nuk kanë shfaqur probleme gjatë punës së tyre duke shmangur kështu radhët e pritjes së emigrantëve në sportelet e kontrollit të dokumenteve.