E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimet me zgjedhje, rezultatet, javën e parafundit të korrikut

 

Përfundon Matura Shtetërore. Gazeta “Shekulli” publikon testet e zgjidhura për 9 lëndët me zgjedhje

Në provimet me zgjedhje morën pjesë 32 mijë maturantë. Ditën e diel, nis korrigjimi i testeve në katër qendra

Matura pothuajse përfundoi. Dje paradite, 32 mijë maturantë i hapën rrugën, me testimin në dy lëndët me zgjedhje, fazës së pranimeve në universitete. Testimi, i cili zgjati 4 orë, kaloi normalisht ndërkohë që për mbarëvajtjen e tij, Ministria e Arsimit angazhoi 2 mijë administratorë. Sikurse u veprua në provimet me detyrim, për një mbarëvajtje korrekte të zhvillimit të provimit, për herë të parë këtë vit, administratorët u shkëmbyen midis rretheve të ndryshme. Fill pas përfundimit të testimit, testet e plotësuara janë nisur nën masa të forta sigurie, në drejtim të shkollës “Sabaudin Gabrani”, në kryeqytet, nga ku do të shpërndahen për t’u korrigjuar në 4 qendra, në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier. Komisionet për korrigjimin e testeve, do të nisin nga puna ditën e diel, datë 13 korrik 2008. Në këtë proces do të angazhohen 300 korrigjues, ndërsa rezultatet priten të shpallen jo më larg se data 25 korrik. Provimet me zgjedhje, janë prova e fundit e Maturës Shtetërore dhe bashkë me dy provimet e detyrueshme dhe mesataren e shkollës së mesme, përbëjnë pesë komponentët e rezultatit për pranimin në institucionet publike të arsimit të lartë. Nxënësi i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës është i detyruar të japë provim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje, vitin e ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›