Sfida Angli-Shqipëri i besohet gjyqtarit spanjoll Hernandez

TIRANË, 19 mars/ATSH Ndeshja mes Anglisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026, do të gjykohet nga një trupë arbitrash spanjollë, me kryesorin Alejandro Hernandez.
42-vjeçari, që mban stemën e FIFA-s prej vitit 2014, ka një eksperiencë të gjatë në arbitrim, duke nisur nga La Liga në vitin 2012. Atij do t’i asistojnë Jose Naranjo dhe Diego Sanchez Rojo si ndihmës, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Alejandro Muniz Ruiz. Për teknologjinë VAR do të kujdesen Cesar Soto Grado dhe Valentin Gomez.
Kjo përballje do të jetë e shtata mes Anglisë dhe Shqipërisë në ndeshje zyrtare. Deri më tani, “Tre Luanët” kanë fituar gjashtë herë, ndërsa kuqezinjtë synojnë të thyejnë statistikën dhe të arrijnë një rezultat surprizë.
Ndeshja mes Anglisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për raundin e parë të grupit “K” të eliminatoreve të botërorit të vitit 2026 do të luhet të premten, 21 mars 2025 në ora 20:40 minuta.
/a.f/