HOMAZH PËR MINELLA BOROVEN
(Realisht një letër dashurie për një të vdekur të gjallë!)
Nga Miho Gjini
I dashur Nella!
E di që ti nuk do ta marrësh kurrë letrën time, ndonëse e ndjej në shpirt që ke për ta lexuar atë… Sepse ti nuk je si gjithë të vdekurit… Ti për mua je një i vdekur i gjallë, je sikundër gjithë ne te tjerët, bile diçka më tepër se ata, se do të rrosh tek unë, tek bashkëshortja jote, te fëmijët që le, tek miqtë që pate, tek publiku që të donte, duke plotësuar kështu boshllëkun që mbetet, me një pjesë të madhe dashurie që nuk tretet
Të kam dashur shumë, o njeri i mirë, që ike dhe më le nga ana tjetër e globit… Realisht ne kishim vdekur që të dy… Na ndante deti, oqeani dhe një rripe toke që veçonte kontinentin e zbuluar nga Kolombi. Tu duk se Argjentina do të ishte një zbulim i ri për ty, po kur u ktheve dhe ne u takuam krejt rastësisht në një rruge të Fierit, dhe ju vodhëm njerëzve për tu çmallur, unë pashë në fytyrën tënde një trishtim të thellë që i ngjante prag-vdekjes
Atëherë ne do te kujtonim ca çaste të lumtura që nuk vinin më, nuk ktheheshin më, për të krijuar oaze lumturie!… Lumturi i thënçin! …Po, në atë trysni të gjatë të së kaluarës, ne sikur gjenim ca struka të fshehta, te cilat i largoheshin botes që vazhdimisht vdiste përpara syve tanë, kur disa syresh thonin që ishim më të lumturit në botë… Realisht ne ishim gjysmë të vdekur të lumtur… Studenti për aktor Minella Borova, me atë fytyrë ovale, me atë majë hunde komike, paksa të kthyer, me ato flokë të zeza e të dendura, me atë buzëqeshje paksa të shtrembër dhe unë pedagogu i tij, që do të harroja përgjithmonë se isha i tillë, dhe do të bëhesha shok me ta, e shtynim jetën dhe rronim që të vdisnim dikur, pa u merakosur fare për çka do të ndodhte… I kam përpara syve gjithë studentët e mi: Timon, Birçen, Mevlanin, Llazin, Nikon, Gëzimin e me rradhë… Po Nellën?! Ku është Minella, të dashurit e mi? Oh! Ai u rrokullis nga sytë tanë si një pikë loti përvëlues… Iku më i qeshuri ynë, më i brengosuri ynë, që vatë të zbuloje Argjentinën dhe hapi gropën e varrit të vet
Mos!
Po ti e bëre këtë hap të tmerrshëm, pa pyetur njëriOse pyete vetëm vetën tënde… Ti gjithmonë ke qenë i pandreqshëm, i dashuri im… Që në Korçë, aty ku linde, u rrite dhe ku tu damkos mbi shpatulla njolla e murrme e paravdekjes…
Ishte natë atëherë… Unë dola nga salla e teatrit dhe ti zbritë nga skena… Unë isha një Inspektor i Ministrisë dhe ti ishe një aktor profesionist… Në fytyrën tënde paksa të hequr, ku makijazhi nuk ishte fshirë dhe aq mirë, dukeshin ende blangat e asaj katastrofe që do të ndodhtë me pas me Njollat e murrme dhe që do të na ndante për 10-20 a 30 vite… Mirëpo, pikërisht atë natë të turbullt (që do të mbetej si prelud i vdekjes) në të dy patëm ca çaste lumturie që nuk vijnë më. Se çkishe atë natë, kur, bashkë me Llazin (Serbon) na tërhoqe në papafingon tënde, në tarracën e shtëpisë, për të parë një portret. Ne hymë aty, në gjysmë errësirë dhe, kur drita u hap, do të shtangeshim nga një bukuri e rrallë, e beftë, e aftë për të pushtuar shpirtra. Pamë njëri-tjetrin dhe ti diçka të pakuptueshme do të mërmërisje nëpër buzë… diçka që kishte të bënte për dashurinë e zjarrtë të rinisë, për liqenin, për pemët, për zogjtë e qiellit….
Nella, orë tu mbylltë,-tha Llazi, çe ke burgosur këtë perëndi?! Mirëpo Minella nuk foli fare, qeshi ashtu shtrembër, kaloi njërën pëllëmbë të dorës nëpër flokë dhe na i mbushi gotat me raki mani. Ne do të shihnim nga portreti mahnitës i së dashurës në pëlhurë, që na ndiqte vazhdimisht me sytë e saj të zinj dhe, si të dalldisur, do të pinim raki mani, aq sa do të na çahej balli e do të na dilnin trutë nga vendi… E ku ta dinim nr, se që nga kjo natë, nga papafingoja e Minella Boroves, jo vetëm që nuk do të ktheheshim me, po gjithçka do të përmbysej: E dashura do ta braktiste komikun e skenës (që aq bukur imitonte Nidhen, Drejtorin çalaman të Teatrit që nuk merrte vesh fare nga Teatri; Personazhi i Lirimit te Njollat e murrme nuk do të dukej me në skenë, pas anatemimit të Diktatorit, i cili do ta quante ketë shfaqje tëpke revizioniste! Personazhi i Inspektorit (që isha unë) do të burgosej (bashkë me autorin e regjisorin!) dhe personazhi Llaz Serbo do të vriste veten në një papafingo tjetër si kjo e Nellës, duke imituar Bekim Fehmiun që aq shumë e donte… Pra, ne, që të tre, kishim vdekur që nga ai çast shtangie, para portretit të një të panjohure, që mund të ishte edhe imagjinarë, po gjithsesi larg nesh, ama tepër thellë për brenda shpirtit tonë të brengosur… Në e donim të bukurën, e admironim.
Po jo! Nuk që e thënë për asnjërin nga ne.
Kur mu shfaq Minella, krejt papritur, në Fier dhe unë, i syrgjynosur në periferi të Athinës, si punëtor me mëditje të një pronar grek (ngaqë askujt nuk i duhej kritiku dhe pedagogu i teatrit (i këtij argjentinasit që me doli përpara!), do të provoja rishtazi gjëmën që na kishte ndodhur: NE NUK I DUHESHIM ASKUJT. Dhe pastaj një ndjesi e kobshme: Mbase do të kujtohen e do të thonë një fjalë të mirë për në, pos mortum e të bëjnë një homazh si ky që po bëj unë, pasi e pata bërë edhe për Llazi Serbon, për të cilin thonin se që i çmendur dhe kur ndërroi jetë thanë befas se ishte ARTIST I MADH(!). Paradokse dhe këtoSi ky episodi i fundit i Minellës që erdhi nga Argjentina me një shfaqje në Festivalin e Aktrimit të Fierit (ku unë vija që nga Athina vjedhurazi, si një spektator nkognjito për të parë shfaqjet!) dhe, sa me pa, me pushtoi të tërin me një mall të parrëfyer e pastaj humbëm nëpër brengat tona të emigrantit, nën një pishë të mënjanur, duke pirë rradhazi shishet e birës!… Nuk bëj dot më në Argjentinë, -tha Nella i trishtuar, do vete një herë nga Naumi (Prifti) në Nju Jork se mos më gjen ndonjë punë atje dhe pastaj do të kthehem këtu, ku, me sa shoh, janë edhe me keq punët, skam çtë bëj… Artistë dhe të papunë Argjentina ka plot. Vura në skenë atje Karnavalet e KORÇES, po çe do, u katandisëm vet si karnavalet, bre profe. Dhe leshrat e tij tanimë të zbardhura e përsëri të dendura ranë mbi grykat e boshatisura të birrës. Helmi binte mbi helm
Ne kishim vdekur qyshkuri…