E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shala, i përfshirë në kurdisje

Rijat Shala akuzohet se ka qenë i përfshirë në kurdisjen e ndeshjeve në futbollin italian. Sipas futbollistit Carlo Gervasoni, mesfushori prizrenas ka marrë 150 mijë euro, duke i ndarë ato me shokët e skuadrës, për ta kurdisur ndeshjen e kupës në vitin 2010, ndërmjet Chievos dhe Novarës. Por 28-vjeçari mohon akuzat.

Rijat Shala është përfshirë në skandalin e fundit të futbollit italian, apo të ashtuquajturin ‘Calciopoli 2’. Mesfushori kosovar duke se ka qenë pjesë e kurdisjes së ndeshjeve, të cilat po zbulohen një nga një.

Për të zbuluar gjithçka është përkujdesur ish futbollisti i Cremoneses, së fundmi i Piacenzas, Carlo Gervasoni. Ky i fundit rrëfen faktin se ka bashkëpunuar me futbollistin prizrenas, për ta rregulluar ndeshjen e Kupës së Italisë në vitin 2010 ndërmjet Chievos dhe Novarës, ku luante Shala në atë kohë.

“Sa i përket ndeshjes Chievo-Novara, e Kupës së Italisë në vitin 2010, kam marrë vesh nga boshnjaku Almir Gegić se sllavët ofronin 150 mijë euro për lojtarët e Novarës, që të pësonin humbje nga Chievo me më shumë se një gol diferencë, rezultat ky që në fakt u arrit pas ndeshjes”, rrëfen përpara gjykatës futbollisti italian, i cili është dënuar me 5 vjet moslojë.

“Më kujtohet që ua mundësova sllavëve të takoheshin me sulmuesin Nicola Ventola në hotel, me futbollistin shqiptar që luante në Novara, Shala, të cilit ia dhanë rreth 150 mijë euro. Ai do t’i ndante ato me lojtarët tjerë, ndër ta edhe portierin Fontana. Sulmuesi Berani gjeti arsye për të mos udhëtuar fare në atë ndeshje”, vazhdoi Gervasoni.

Ndërsa pasi ka dëgjuar deklaratat e Gervasonit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i mesfushorit kosovar, i cili i përgënjeshtron kategorikisht akuzat e drejtuara në adresë të tij.

“Është akuzë absurde, si të zbriste nga qielli. Nuk e kuptoj se si ky person mundohet ta rrënojë karrierën dhe jetën e njerëzve tjerë. Ndoshta dëshiron të dalë nga burgu dhe e përdor këtë mënyrë për t’ia dalë mbanë”, deklaroi futbollisti prizrenas.

Rijat Shala u largua nga Novara gjatë verës që shkoi, duke iu bashkuar Luganos, nga e cila u nda po ashtu. Futbollisti me pasaportë zvicerane është shquar gjithmonë për jetën kontroverse brenda dhe jashtë fushës.

Ish futbollisti i Luganos, Salernitanës dhe Cagliarit, pritet ta japë versionin e tij, pas akuzave të bëra nga futbollisti Gervasoni. Pjesë e Novarës ishte edhe portieri Samir Ujkani, por që emri i tij nuk është përmendur ndër futbollistët e përfshirë në skandalin që u zbulua në futbollin italian së fundmi, ku u përfshinë akterë dhe klube nga Serie A, Serie B dhe Lega Pro (liga e tretë).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›