Cana i përkushtuar ta tregojë veten

Sipas medieve italiane, pavarësisht formës së kosovarit, shumë klubeve gjermane, angleze e franceze u ka mbetur merak që nuk arritën gjatë verës së kaluar ta transferonin Canën nga Galatasaray. Një gjë të tillë, këto klube do ta bënin edhe sot, sikurse t’u vinte shansi.
Mirëpo, kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë thotë se as që nuk dëshiron të dëgjojë rreth një largimi të mundshëm nga Lazio. Cana ka pohuar se ka shumë për të treguar në fanellën e klubit romak.
“Deri më tani, as që kam menduar të largohem. Ndihem shumë mirë këtu dhe unë dua ta ndihmoj Lazion. Për këtë edhe kam ardhur. Unë do të isha i gatshëm të largohesha sikur të thoshte kështu presidenti ose drejtori sportiv, por kjo nuk ka ndodhur. Nuk e di se çfarë sjell e ardhmja, por unë ndihem shumë mirë këtu, ku kam krijuar miqësi të madhe me shumëkënd, madje edhe me tifozët e ekipit tim”, ka theksuar Cana.
Ai ka treguar se bashkëkombësi i tij, drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare e kishte bindur t’i bashkohet kësaj skuadre, pas një sezoni të kaluar në Galatasaray.
“Unë e njoh Taren prej vitit 2002. Së bashku kemi luajtur për shumë vite në Kombëtaren tonë. Taren e njoh si një ish-lojtar të mirë, si një njeri të mirë dhe si një mik të mirë. Në Lazio tani ai është drejtor sportiv, kurse unë lojtar, ndërsa jashtë klubit normalisht që kemi një raport tjetër mes veti. Kur unë mendoja se ku ta vazhdoj karrierën, në Gjermani apo në Angli, Tare ma ndryshoi mendjen dhe më bindi të vij te Lazio”, ka përfunduar Cana.