E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shala shfrytëzoi RTK-në për projekte private

Shtatë vjet më parë Mentor Shala i ka shkruar një raport Ministrisë së Shëndetësisë për 698.400 kondomët që organizata e tij joqeveritare, “Integrimet Plus”, i kishte shpërndarë nëpër Kosovë.

Paratë për prezervativët, por edhe për një fushatë mediale që duhej emetuar nëpërmjet transmetuesit publik, Shalës i ishin dhënë nga buxheti i shtetit.

Atëkohë nuk kishte pozitë me rëndësi në Radiotelevizionin e Kosovës, e dy ditë më parë është ngjitur në majë të këtij mediumi publik.

Bordi, ndonëse i pakompletuar, me nguti e ka bërë Shalën drejtor të përgjithshëm, shkruan "Koha Ditore".

Në kohën kur Shalës Ministria e Shëndetësisë ia kishte mbështetur financiarisht projektin, në pushtet nuk ishte PDK-ja. Kjo parti ishte në opozitë, por atëkohë sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë ishte Pleurat Sejdiu, një nga njerëzit më me ndikim në PDK në pesë vjetët e fundit.

Në raportin që e kishte bërë në fund të 2006-s, Shala kishte treguar se një vit më parë organizata joqeveritare

“Integrimet Plus” kishte realizuar një projekt që kishte të bënte me një fushatë kundër HIV/AIDS.
Në kombinim kishte futur edhe RTK-në. Katër debate televizive, tre dokumentarë televizivë dhe tetë spote vetëdijësuese, ishin realizuar në kuadër të projektit.

Ministria kishte paguar majmë për to, sikur që i kishte paguar edhe prezervativët.

RTK-ja, më herët i ishte përgjigjur gazetës për këtë projekt. Nëpërmjet saj ishte konfirmuar se “kjo ka qenë një kampanjë e transmetuar në RTK, por jo e prodhuar nga RTK-ja” dhe ishte dhënë arsyetimi se “kampanja ishte me interes për publikun” dhe si e tillë ishte transmetuar./Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›