E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: Do prishen të gjitha ndërtimet pa leje në Laprakë

Numri dy i bashkisë pohoi se ndërtimet nuk mund as të legalizohen, të mbështeten e as të mbrohen nga askush
TIRANË- Nënkryetari i bashkisë së kryeqytetit, Eduart Shalsi, ka pohuarse nuk ka asnjë shans që ndërtimet pa leje në Laprakë të legalizohen por prishja e tyre do të vazhdojë. "Ndërtimet që cënojnë hapësirën publike dhe pengojnë projektin tonë të madh të shërbimit dhe urbanizimit evropian të Laprakës nuk mund as të legalizohen, të mbështeten dhe as të mbrohen nga askush",- thaShalsi. Sipas tij, inspektorati i Ndërtimit i Bashkisë do të shembë dhe pastrojë në Laprakë të gjitha objektet e parashikuara dhe nxitja e disa qytetarëve kundër këtij Inspektorati, kundër Bashkisë dhe Kryetarit të saj është shprehje e një politike sa primitive aq edhe qesharake. "Ligji i legalizimeve është i qartë dhe nuk mund të mbrohen as ata që kanë zënë rrugët, as ata që kanë bllokuar hapësirat mes pallateve dhe as ata që shesin qofte dhe bileta bastesh, të ndërtuara mbi lulishtet e së nesërmes. Ky ligj nuk mbron për më tepër asnjë që vazhdon të shtojë tulla dhe të hedhë kate pas daljes së Ligjit. Me këtë rast, njoftojmë të gjithëqytetarët e Tiranë se çdo tullë që do të vihet pa leje sot, do të rrëzojë gjithë ngrehinën e tyre nesër", deklaroi nënkryetari i bashkisë së kryeqytetit, Eduart Shalsi. Sipas tij, banorët e zonave informate, të cilët kanë depozituar dokumentet e tyre brenda afateve të parapara nga ligji, duhen të rrinë të qetë. "Ne kemi mbështetur gjithnjë legalizimin e tyre. Ky është qëndrimi ynë. Aksioni do të vazhdojë pa u ndalur dhe do të shtrihet në çdo cep të Tiranës. Legalizim po, barbarizëm jo!", deklaroi Shalsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›