Shalsi: Koha e Sali Berishës ka perënduar, është një dështim politik

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, ka komentuar ashpër rikthimin e Sali Berishës në Kuvend, duke e cilësuar atë si një “dështim politik”. Sipas Shalsit, pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2013, Berisha kishte mundësinë që të largohej nga jeta politike, por shtoi se ai po mban peng një grup parlamentar dhe një opozitë që ka nevojë për përfaqësim të vërtetë.
“Sali Berisha i kishte të gjitha mundësitë që pas disfatës në 2013 të tërhiqej nga jeta politike dhe t’i hapte udhën dikujt prej jush, që në fakt e bëri për Lulin por siç e bëri ashtu edhe e zhbëri. E dini historinë politike dhe e di fare mirë se çfarë mendon secili prej jush për Sali Berishën. Ky i ashtuquajtur rikthimi i tij është vetëm konfirmimi i dështimit të tij politik.
E humbe shansin Sali dhe e kuptoj marazin dhe pikëllimin e madh që çdo të thotë se në moshën tënde të ballafaqohesh me disa të vërteta që nuk i kishe menduar. Koha e Saliut ka perënduar njëherë e mirë. Saliu i kishte në dorë edhe për pronarët, edhe për të përndjekurit dhe për minimumin jetik. Po vijon të mbash peng një grup parlamentar dhe një popull opozitar që ka nevojë ulëritëse për t’u përfaqësuar”, tha Shalsi.
/rtsh.al/