E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: Qeveria s’ka bërë asgjë kundër zjarreve

Deputeti i opozitës, Eduard Shalsi theksoi se qeveria s’ka bërë asgjë për menaxhimin e zjarreve që nga viti në vit vjen duke u përkeqësuar.

Në një kohë kur në Shqipëri mungojnë plotësisht mjetet për të luftuar me zjarret, nënvizoi deputeti socialist, qeveria ristrukturon vila, mobilon rezidenca qeveritare e blen makina luksoze.

“Çdo vit qeveria shqiptare kapet “gafil” si pasojë e mosmarrjes së asnjë mase paraprake parandaluese. Do të mjaftonte një shikim i shpejtë i vatrave dhe i menaxhimit të tyre për të kuptuar nivelin mjeran në të cilën gjenden parashikueshmëria, parandalueshmërisë dhe aftësia menaxhuese e situatës së zjarreve nga ana e qeverisë shqiptare. Mjafton të hedhësh sytë nga mali i Dajtit për të parë se çfarë përmasa shqetësuese ka marre ky problem në rrethinat e Tiranës, pa folur më tej për zonat e thella malore. Janë shkatërruar me dhjetëra e qindra hektarë ndërkohë që rreziqet e zjarreve po kërcënojnë edhe perlat turistike të shqiptarëve apo edhe jetën e tyre siç ishte dhe rasti në Dhërmi”, tha ai.

Deputeti Shalsi shtoi se situata është alarmante, teksa kryeministri sipas tij, vijon të presë shirit inaugurimesh. “Jemi thellësisht të shqetësuar se nga njëra anë kemi një Shqipëri që digjet dhe nga ana tjetër një kryeministër që sorollatet me shirit në dorë për të inauguruar rrugë, pa e ngritur kokën pak më lart se rruga për të parë se si po digjen pyjet, dhe për më keq akoma, pa e dëgjuar të thotë qoftë edhe një fjalë. Një matematikë e thjeshtë: 700 milion për një mercedez të Sali Berishës, 500 milion për mobilimin e një vile për Sali Berishën, 500 milion të tjera për shtëpinë e presidentit, 100 milion për zyrën e Ministrit te Financave. Ndërkohë qe asnjë kacidhe për menaxhimin e situatave të tilla. Pasuritë e shqiptarëve janë të rrezikuara prej zjarreve, shtëpitë dhe pronat e tyre janë në mëshirë të fatit, ndërkohë që kryeministri vazhdon të merret me opozitën. Dy fjale për Sali Berishën sot: Lëri llogjet për opozitën dhe merru me zjarret, paçka se e dimë se ç’je në gjendje të bësh”, vijoi. /Start/

                                                                                             2012-08-27 17:22
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›