Shalsi gjen makinën e vjedhur. Hajduti ia tregon në telefon
Makina e vjedhur e deputetit të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Eduard Shalsi është gjetur në afërsi të qytetit të Lezhës mesnatën ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes pasi grabitësit e kanë informuar për vendndodhjen. I vjedhur në Tiranë më 17 tetor, Opel Antra e Shalsit është gjendur i braktisur në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa historia e gjetjes së tij është tepër e rrallë. Mësohet se prej disa ditësh zyrtari i lartë socialist është sorollatur në rrugë të ndryshme të rreth kryeqytetit për të gjendur makinën e tij deri sa ka përfunduar në Lezhë.
Historia ka nisur përmes një telefonate që deputeti socialist ka marrë nga një numër i paidentifikuar. Një zë mashkulli e njoftonte atë se makina që i ishte vjedhur ndodhej në një prej rrugëve të zonës së Kombinatit. Telefonuesi i ka thënë me detaje vendin ku ndodhej makina. Me të marrë këtë telefonatë, më datë 24 tetor, nënkryetari i grupit parlamentar socialist është nisur drejt zonës ku i është thënë se ndodhej makina e grabitur mbrëmjen e disa ditëve më parë. Përpjekja e deputeti socialist për të rimarrë makina e tij ka dështuar, pasi në vendin që i është thënë se mund ta merrte atë nuk kishte asnjë shenjë. Ai ka kërkuar përreth dhe pas disa minutash ka vendosur të largohet.
Ditën e nesërme, në orët e vona të mbrëmjes një tjetër telefonatë ka ardhur në numrin personal të Eduard Shalsit. I njëjti person që kishte telefonuar një ditë më parë, ka kontaktuar mbrëmjen e 25 tetorit duke dhënë një tjetër koordinatë të vendndodhjes së makinës të grabitur. Deputetit të Partisë Socialiste i është thënë se automjeti tip Opel Antra ndodhej në një rrugë tek zona e Saukut. Me të marrë këtë njoftim, deputeti socialist ka shkuar në vendin e dhënë prej telefonuesit anonim për të marrë makinën e tij. As këtë herë, zyrtari i selisë rozë nuk ka mundur që të gjejë automjetin e humbur prej më shumë se një jave. Për të tretën herë, në mbrëmjen 26 tetorit i zgjedhuri socialist ka marrë një tjetër telefonatë. Grabitësi i automjetit të deputetit socialist ka dhënë një tjetër koordinatë, por këtë herë larg rrugëve të kryeqytetit. Mësohet se personi që telefonoi deputetin ka dhënë si vendndodhje të makinës një vend në aksin rrugor Tiranë Lezhë.
Në mesnatë, zyrtari i Partisë Socialiste i është afruar vendit ku i është thënë. Pak metra përpara se të mbërrinte aty, nënkryetari i grupit parlamentar socialist ka vënë re makinën e tij. Menjëherë ai ka telefonuar Policinë e Shtetit dhe një patrullë ka mbërritur në vendngjarje. Ata kanë kryer ekspertimet e nevojshme për të zbuluar ndonjë të dhënë që mund ti dërgojë drejt kapjes së autorit të ngjarjes.
Kështu, siç thotë edhe shprehja e vjetër popullore, e treta, e vërteta, pas shumë përpjekjesh deputeti ka gjetur makinën që i ishte zhdukur prej kohësh. Automjeti tip Opel Antra është gjetur në gjendjen e mëparshme dhe në të nuk është vënë re mungesa e ndonjë sendi apo që të jetë dëmtuar nga personat që e kanë marrë. Për këtë histori të rrallë, gazeta Shekulli ka kontaktuar deputetin Shalsi, i cili ka pohuar të gjithë versionin e kësaj ngjarje dhe ka konfirmuar gjetjen e makinës së tij mesnatën e 26 tetorit, në afërsi të qytetit të Lezhës.
Vendndodhjet
Personi i cili ka kontaktuar deputetin socialist me numër të panjohur ka thënë fillimisht se makina ndodhej në Kombinat, pastaj në Sauk dhe si përfundim në afër të Lezhës. Historia e rrallë është zhvilluar gjatë tre ditëve, në një kohë kur deputeti ka verifikuar të treja vendndodhjet.
Shalsi: Si më vodhën makinën
Më 19 tetor gazeta Shekulli publikoi lajmin se nënkryetarit të grupit parlamentar Socialist, Eduard Shalsi, i vidhet makina në mes të Tiranës. Gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e 17 tetorit kur deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, i cili është përgjegjës për njësinë bashkiake numër 9, ka qenë duke shkuar në zonën e tij elektorale për të zhvilluar disa takime. I kontaktuar nga gazeta Shekulli, zyrtari lartë socialist bën të ditur se grabitja e makinës së tij ka ndodhur ditën e martën, më 17 tetor, rreth orës 20:30. Mbrëmjen e 17 tetorit, në orën 20:30, ndodhesha në rrugën Mine Peza për të shkuar në një takim në zonën time elektorale. Gjatë rrugës ndalova në një dyqan për të marrë diçka dhe u vonova 2 minuta. Çelësat ishin brenda në makinë. Futem brenda në dyqan dhe kur dola nuk e gjeta makinën, – rrëfen për gazetën Shekulli momentet e ngjarjes deputeti i Partisë Socialiste. Makina e deputetit Shalsi është e tipit Opel Antara dhe siç bën të ditur ai kishte të vendosur në xhamin e përparëm shenjat dalluese të Kuvendit të Shqipërisë. Pasi pa se makina e tij nuk ndodhej më aty, zyrtari socialist ka bërë kallëzim në komisariatin numër 3 të Policisë së Tiranës. Mbi këtë ngjarje, drejtori i forcave blu për Qarkun e Tiranës, Saimir Muçaj, bëri të ditur për gazetën Shekulli se nga ana e tyre janë duke kryer disa verifikime dhe kontrolle. Ai sqaroi se janë shoqëruar në komisariat persona të cilët në të kaluarën kanë pasur precedent penal për vjedhje makinash.
