E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shalsi zëvendëson Majkon në Kukës, kryesia e PS diskuton mbi përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit

Deputeti Socialist  Eduard Shalsi do të jetë drejtuesi i ri politik i qarkut të Kukësit, ndërsa paraardhësi i tij Pandeli Majko do të kthehet në Tiranë ku pritet të vijojë angazhimin politik për zgjedhjet e 11 majit. Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të kryesisë ku për afro 1 orë e 30 minuta, kryesocialisti Edi Rama mblodhi në selinë rozë drejtuesit politik, kryebashkiakët dhe anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste.

Në mbledhje nuk mungoi kryebashkiaku dhe njëherazi drejtuesi politik i Tiranës ErionVeliaj, ndërsa pas 90 minutash  diskutim, kryesocialisti Edi Rama la selinë rozë i shoqëruar nga Elisa Spiropali.

Takimi vjen në një kohë kur na ndajnë vetëm 5 ditë nga data 11 janar, kur  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i mundësojë emigrantëve shqiptar regjistrimin në aplikacion për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas burimeve mbledhja u fokusua në organizimin në terren për garën e majit, ndërsa më herët Rama u ka lënë porosi të vetëve të identifikojnë nëpërmjet një regjistri  të gjithë emigrantët me të drejtë vote që jetojnë jashtë.

Partia Socialiste bëri një tjetër ndryshim politik pak ditë më parë, kur dërgoi në Dibër në cilësinë e drejtuesit politik sekretarin e përgjithshëm  Blendi Klosi i cili zëvendësoi Blendi Gonxhen./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›