Shamitë Made in Germany

Karsten Gollnick mban në ajër një shami ngjyrë vjollce, me një vello gjysmë të tejdukshme dhe të vezullueshme, derisa shpjegon se sa e lehtë është që shpikja e tij e modës të vendoset mbi kokë, ashtu që secila femër të jetë “e mbuluar në mënyrë të përkryer”. E gjithë procedura zgjat afro 15 sekonda.
Parukierja 29-vjeçare, Alsi, të cilës Gollnick ia demonstron “ekspres-shaminë” e tij duket shumë e kënaqur.
"Kur të duhet që të përgatitesh shpejt në mëngjes, ajo është shumë praktike” , thotë ajo. Është shumë më praktike se ajo që përdorej deri më tani nga shumë turke në Gjermani.
"Shamitë kanë një 'bonnet' - që është njëlloj haube që i mbulon të gjitha flokët tuaja. Pastaj, merret një shami tjetër, e cila shtrëngohet me gjilpëra për këtë haubë, dhe në fund mbështillet përreth kokës”, sqaron dizejnatori nga Hamburgu. Me shaminë e tij, në fakt, i përfitohen dy gjëra në një.
Aksesor mode apo simbol i shtypjes?
Gollnick (47) ka përfunduar shkollimin për kostumograf filmi. Interesimi tij për shami lindi kur iu desh të krijonte një kostum për një myslimane. Më vonë, ai në Francë zbuloi një paletë të pasur të materialeve dhe ngjyrave, të cilat i mblodhi me zell, ndërkohë që tani modelet e tij të shamive i qepë vetë. Pjesë të koleksionit të parë u bënë 30 lloje të shamive – duke filluar nga ajo e mëndafshta ‘Grace Kelly’, përmes modelit të kadifenjtë ‘Girlie, e deri tek shamia ‘Muslim’, që mbulon edhe fijet më të imta të flokëve.
Gollnick shaminë nuk e sheh si një simbol të nënshtrimit të femrës.
"Është ky një aksesor mode, prandaj edhe do të duheshim që të mos frikoheshim më nga ajo”, thotë ai, derisa sqaron se ai krijon “shami kulturore, e jo shami fetare”.
Dizejnatori gjerman i modës myslimane
Shitoren e tij qëllimisht e ka hapur në lagjen Veddel, në jug të lumit Laba, në Hamburg,e cila njihet për nga numri i madh i imigrantëve, me të ardhura të ulëta mesatare. Një numër i madh i banorëve të Hamburgut i shmanget frekuentimit të kësaj lagjeje. Lagjet në jug të Labës nuk janë në zë të mirë, edhe pse numri i studentëve që jetojnë në to rritet, për shkak të qirave të ulëta.
Por dizejnatori, Karsten Gollnick, dëshiron të tregojë se diçka po ndodhë edhe në këtë lagje jo të popullarizuar. Të gjithë pjesëmarrësit në projektin e tij jetojnë në Veddel. Asli është bërë fytyra e fushatës - pllakatet e saj janë ngjitur në gjithë qytetin. Për parukieren 29-vjeçe kjo gjë fillimisht ishte e pazakontë, por tani është krenare kur gjithkund sheh fytyrën e saj të buzëqeshur. Ajo mban shami edhe kur shkon në xhami, megjithëse nuk i mbulon flokët. I pëlqen që shamitë i dizajnon një gjerman, megjithëse kurrë më parë s’ka dëgjuar as parë për një gjë të tillë.
Shami për çdo femër
Në prezantimin e shamive të Gollnick erdhën femra nga të gjitha pjesët e Hambugrut. Në mesin e tyre edhe Kerstin Meyer. Ajo u përcaktua për një shami me katrorë portokall-e-kaltër.
"Mund ta vendosi kur fryn era, derisa shëtis buzë lumit. Kështu, s’do të më prishen flokët”, sqaron ajo.
Nj iraniane e ere duket e entuziazmuar me laramanin e ngjyrave e materialeve të dizejantorit Gollnick. Një zgjidhje të tillë s’ka parë askund në Gjermani.
"Kur përmendet shamia të gjithë menjëherë mendojnë në burkë, ose në nikab, por këtu kemi të bëjmë me diçka krejt tjetër. Në këtë mënyrë mund të tregohet se shamia nuk bartet si shenj e nënshtrimit, por për shkak se të pëlqen ta bartësh atë”, shprehet ajo.
Një fqinj gjerman shikon se ç’po ndodhë në atelienë e Gollnick. Buzëqesh disi mendueshëm, derisa tregon se ajo që sheh ia përkujton nënën e tij.
"Përpara, ajo gjithmonë bartte një shami në kokë. Vërtet i rrinte bukur”. DW