E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefer: Shqipëria, hapa të mëdha drejt NATO-s, reformat, të pakthyeshme

Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara madje më shumë sesa Maqedonia në drejtim të anëtarësimit në NATO. Është kjo deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Jaap de Hoop Scheffer, gjatë takimit që zhvilloi dje në Bruksel me kryeministri Sali Berisha dhe delegacionin qe ai e shoqëronte. Zyra e Shtypit pranë Kryeministrisë bëri të ditur se gjatë këtij takimi, i NATO-s, Scheffer, u shpreh se këto muaj janë shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, e cila ka bërë hapa të mëdha në drejtim të zbatimit të reformave, me qëllim integrimin në NATO. Në këtë kontekst, zoti Scheffer e përgëzoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin mjaft të mirë me opozitën dhe ndërtimin e një kulture të duhur politike, kulturë kjo e domosdoshme për çdo demokraci, por veçanërisht për ato vende që inspirojnë të hyjnë në NATO.  Scheffer u shpreh gjithashtu se një tregues i qartë i kësaj fryme bashkëpunimi me opozitën është dhe delegacioni, i cili shoqëron kryeministrin në Bruksel, një delegacion multipartiak, i cili është një shembull i fuqishëm se si ka ndryshuar kultura politike në Shqipëri gjatë këtyre viteve.Më tej, zoti Scheffer theksoi se do të vlerësohet pozitivisht, në vendimin për të integruar Shqipërinë në NATO, roli i Shqipërisë në stabilitetin e rajonit. Roli i saj, u shpreh zoti Scheffer, ka qenë vendimtar për të ruajtur ekuilibrat në rajon, sidomos lidhur me çështjen e statusit të Kosovës. Shqipëria, vijoi zoti Scheffer, është bërë eksportuese e stabilitetit në të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, zoti Scheffer vlerësoi klimën shumë të mirë të bashkëpunimit që Shqipëria ka ndërtuar me vendet e tjera të rajonit. Gjithashtu, zoti Scheffer vlerësoi pozitivisht kontributin e Shqipërisë, nëpërmjet misioneve paqeruajtëse përkrah trupave të NATO-s në Ballkan, Irak, Afganistan, si dhe së shpejti në vende të tjera, i cili është mjaft i rëndësishëm në ruajtjen e demokracisë në këto vende. Sekretari i Përgjithshëm, Scheffer, vlerësoi në mënyrë të veçantë vendimin e qeverisë për rritjen me 2 % të GDP-së për Forcat e Armatosura, për të cilin u shpreh se Shqipëria po u jep një shembull pozitiv edhe vendeve të tjera, që janë larg këtij standardi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›