E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shefi i OKB dënon luftën e Rusisë: Fyerje për ndërgjegjen tonë kolektive, shkelje e ligjit ndërkombëtar

Kreu i OKB-së, Antonio Guterres ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës duke e cilësuar si një “fyerje” për ndërgjegjen kolektive të botës. Guterres tha se lufta “po nxit paqëndrueshmërinë rajonale, tensione, ndarje globale, duke larguar vëmendjen dhe burimet nga krizat e tjera dhe çështjet e ngutshme globale”.

“Ky pushtim është një fyerje për ndërgjegjen tonë kolektive. Është një shkelje e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ligjit ndërkombëtar. Lufta nuk është zgjidhja. Lufta është problemi. Njerëzit në Ukrainë po vuajnë jashtëzakonisht shumë. Ukrainasit, rusët dhe njerëzit shumë më gjerë kanë nevojë për paqe”, tha Guterres, citon BBC.

Presidenti rus Vladimir Putin dërgoi deri në 200,000 ushtarë në Ukrainë më 24 shkurt 2022 në pushtimin më të madh evropian që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Pretendimi i Putinit se operacioni i tij ishte i nevojshëm për të “çmilitarizuar dhe denazifikuar” Ukrainën, u hodh poshtë nga kjo e fundit dhe aleatët e saj, si një mashtrim për një sulm të paprovokuar.

OKB-ja ka të ngjarë të miratojë rezolutën, e cila nuk është ligjërisht e detyrueshme, por ka peshë politike. Megjithatë, nuk ka gjasa që votimi të ketë shumë ndikim në veprimet e Rusisë në Ukrainë. Votimi do të bëhet në prag të përvjetorit të parë të pushtimit.

Gjatë vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme ka votuar për rezoluta të ngjashme që kundërshtojnë pushtimin e Rusisë. Në tetor 143 shtete anëtare votuan për të dënuar aneksimin e paligjshëm të Moskës të pjesëve të Ukrainës. Rusia, Bjellorusia, Siria dhe Koreja e Veriut kundërshtuan mocionin, ndërsa India dhe Kina ishin ndër 35 shtetet që abstenuan.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›