E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i SHISH hap faqen personale zyrtare

Gazeta Shqip

Visho Ajazi Lika, i vetmi kryeagjent publik në rrjetet sociale

Shefi i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, është i vetmi zyrtar që ka një faqe zyrtare, personale në Facebook. Kryeagjenti shqiptar, i emëruar në 9 gusht mund të jetë personi i vetëm që ka hapur faqen zyrtare, në të cilën ai vetë e bën të ditur se punon në Shërbimin Informativ Shtetëror. Gazeta Shqip kërkoi se mos ka edhe drejtues të tjerë të shërbimeve sekrete ndonjë faqe personale, si CIA, MOSSAD apo SISMI, porse asnjë shef i këtyre shërbimeve sekrete amerikane, izraelite apo dhe italiane nuk figuronte në rrjetin social Facebook. Faqja zyrtare e Likës është hapur më 14 gusht, një javë më parë dhe deri më tani ka 29 miq. Të bie në sy se një nga miqtë e rinj është dhe Hajredin Kuçi, zv.kryeministri i qeverisë kosovare të udhëhequr nga Kryeministri Hashim Thaçi. Lika, ndryshe nga faqja e parë në Facebook, ka vendosur një foto zyrtare. Ndërsa ditëlindja e tij është shënuar kësaj here e saktë. Kryeagjenti shqiptar i ka bërë like (pëlqej) dhe faqes sociale, atë të SHISH. Ky institucion ka dhe një faqe sociale në Facebook. Lika aktualisht figuron se ka dy faqe sociale personale. Njëra mban emrin Visho Ajazi Lika, e ndërsa tjetra, e hapur përpara se të emërohej në këtë detyrë, me emrin Visho Lika. Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, ka dy data të ndryshme ditëlindjeje. Në sitin zyrtar të SHISH, te biografia e Vishës, bëhet e ditur se ai ka lindur më 12 mars 1956, në Shkodër. Ndërsa në faqen e parë sociale Facebook, Visho Lika shkruan se ai ka lindur më 12 shkurt 1960. Pikërisht në këtë datë, Visho Lika ka marrë edhe urimet për ditëlindjen nga miqtë e tij në Facebook, ku shumë prej tyre duket se janë edhe njerëz të farefisit. Nuk dihen arsyet se pse e ka ulur moshën me 4 vite, mbase për tu dukur më i ri. Sipas CV-së së tij, në faqen zyrtare të SHISH-it, ai ka mbaruar Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës 1976-1981. Në faqen e dytë në Facebook, Lika ka shënuar datëlindjen që figuron në uebin zyrtar të SHISH. Më 9 gusht, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, pas propozimit të Kryeministrit Sali Berisha, firmosi dekretin për shkarkimin e Bahri Shaqirit nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të SHISH. Në vend të tij, Nishani, por me propozimin e Berishës, emëroi Visho Ajazi Likën. Ky vendim pati reagime të shumta nga opozita, e cila e cilësoi si një kapje të këtij institucioni, e sipas tyre, së humbjes së pavarësisë së shërbimit sekret. Pati dhe shumë reagime nga ana e ish-presidentëve Bamir Topi dhe Alfred Moisiu, të cilët theksuan se kjo lëvizje vinte në pikëpyetje funksionimin e këtij institucioni. Ndërsa ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu, pas marrjes së garancisë nga Kryeministri Berisha për pavarësinë e këtij institucioni, u shpreh se Lika duhet të ndiqte shembullin e paraardhësit. Drejtorin e ri nuk e kam takuar, por pres të takohem edhe me kreun e ri të SHISH-it, pasi të kthehem nga pushimet. Ai drejton një shërbim, i cili është i ndryshëm nga SHIK-u i viteve 90. Nuk është më SHIK-u i viteve 90, por SHISH i viteve 2012. Atëherë Shqipëria nuk ishte vend anëtar i NATO-s, ndërsa tani është. Është e rëndësishme që drejtori ta udhëheqë këtë institucion në drejtimin që zoti Shaqiri e filloi. Nuk dua të bëj krahasime të këtij personi apo atij, në marrëdhëniet e tyre me qeverinë, por është e rëndësishme që të ecet përpara. Shqipëria është vendi i NATO-s dhe është e rëndësishme për shërbimin (SHISH) ti bëjë punët si vend i NATO-s, komentoi Arvizu pas takimeve të zhvilluara veçmas, disa ditë më parë me Presidentin Nishani, Kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës, Rama.

2 faqe - Kryeagjenti ka dy faqe sociale në Facebook. E fundit rezulton të jetë hapur më 14 gusht, 5 ditë pasi ai u emërua në krye të SHISH

Ditëlindja - Në dy faqe Facebook rezulton se Visho Lika ka dy data ditëlindje të ndryshme. Ai ka ulur dhe moshën për tu dukur më i ri

Shefi i SHISH hap faqen personale zyrtare burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›